BE-ja nis këtë javë diskutimet për zgjerimin / Mblidhen ministrat dhe shpalosin propozimet e tyre për procesin

Franca, Gjermania, Holanda, Belgjika dhe Luksemburgu do të paraqesin të enjten në Dublin, në takimin e ministrave për çështje evropiane, propozimet për thjeshtimin e procesit të zgjerimit. Sipas këtyre propozimeve, BE-ja duhet që t’u ndalojë përkohësisht shteteve të reja anëtare të drejtën e votës për vendimmarrjet për buxhetin, të sigurisë dhe të politikës së jashtme.
Për këto propozime ka folur kryediplomati holandez Tom Berendsen.
“Ne mund ta bëjmë Bashkimin Evropian më efektiv duke kaluar nga unanimiteti në vendimmarrjen me shumicë të kualifikuar në disa pjesë të politikës së jashtme të përbashkët të BE-së. Ne duhet që të rishikojmë sistemin tonë të vetos në mënyrë që të mos përdoret si mjet për shantazh, siç kemi parë vitet e fundit.
Si hap i parë, ne mund të kufizojmë përkohësisht të drejtën e vetos për vendet që do të anëtarësohen në vitet e ardhshme.”
Sipas portalit Euractiv, ky propozim, i formuluar si një masë “e përkohshme” dhe “kalimtare”, ndalimi i votimit mund të prekë Malin e Zi dhe Shqipërinë, kandidatët kryesorë, si dhe vendet me shpresë për anëtarësim, përfshirë Ukrainën dhe Moldavinë.
Nuk duhet të përbëjë problem politik për Shqipërinë, kryeministri i së cilës, Edi Rama, ka sinjalizuar tashmë gatishmërinë për të hequr dorë nga e drejta e vetos nëse dhe kur Tirana të anëtarësohet.
Për vijimin e procesit të zgjerimit propozohet një “klauzolë mbrojtëse” që i lejon BE-së të marrë masa mbrojtëse nëse shtetet e reja anëtare shkelin demokracinë dhe sundimin e ligjit.
“Ne duhet të përshpejtojmë ritmin e procesit të zgjerimit, sepse bota nuk do të presë derisa të gjitha shtetet anëtare të BE-së të jenë gati. Ne propozojmë një proces pranimi me faza për shtetet e reja anëtare, me mbrojtje shtesë dhe rregullime kalimtare në traktatet e pranimit.
Kjo do të thotë se do të na duhet gjithnjë e më shumë të punojmë së bashku si deri tani në fusha si tregjet e kapitalit, shpenzimet e mbrojtjes dhe qendrat e kthimit për migrantët.”
Këto propozime vijnë në kushtet kur secili prej 27 vendeve do të duhet të bjerë dakord për anëtarësimet e reja dhe potencialisht do të ketë referendume të nevojshme në Irlandë dhe Francë.
Idetë e reja për zgjerimin e BE-së, që do të finalizohen më 30 shtator nga Komisioni Evropian, po riformësojnë dhënien e anëtarësimit të asociuar për shtetet e Ballkanit Perëndimor.


