Historia e Christopher Mccandless, djaloshit që braktisi njerëzimin për të jetuar e vdekur në botën e egër (fotot)

Christopher Mccandless, i njohur ndryshe edhe si ‘Alexander Supertramp’, fali të gjitha paratë e zotërimet e tij dhe nisi rrugëtimin e vetmuar në botën e egër të pyjeve, larg civilizimit të korruptuar.
Ai u gjet i vdekur në moshën 24 vjeçare, por ka përshkruar vuajtjen e ditëve të fundit, në ditarin e tij. Në prill 1992, Chris Mccandless shkoi për të shëtitur në Alaska dhe nisi një rrugëtim mes natyrës së egër të vendit të akullt.
Pesë muaj më vonë, ai u gjet i vdekur, i mbështjellë në rrobat e tij te gjumit në një autobuz të braktisur. Ai ishte vetëm 24 vjeç. “Vagabondi” aventurier me stil unik, peshonte vetëm 30kg kur u gjet, dhe zyrtarët thanë se vdekja e tij kishte ardhur nga uria.

Mccandless kishte dokumentuar ditët e tij të fundit madje edhe orët, në një ditar ku përshkruante sesi kishte mbijetuar duke ngrënë kafshë që kishte vrarë, apo rrënjë dhe fara për të cilat “kulloste”.
Kanë kaluar njëzetepesë vjet tashmë kur autori Jon Krakauer tregoi historinë e dhimbsur të Mccandless në librin e tij ‘Into The Wild’ (Në botën e egër), i cili më vonë u bë dhe një film nga regjizori Sean Penn.
Por edhe sot, ka plot paqartësi mbi faktorët që sollën vdekjen e të riut.
Mccandless, nga Virginia, ishte një student i talentuar dhe atlet, por edhe mësuesit e tij në shkollën e mesme e dalluan individualitetin e tij, duke thënë se “marshonte me një tjetër rrahje të daulleve”.
Pas diplomimit nga Emory University në 1990 për histori e antropologji, ai i dha të gjitha paratë që zotëronte $24,000 për organizatën e bamirësisë OXFAM.
Në dy vitet e ardhshme ai punonte kur kishte nevojë si dhe kreu disa ekspedita e aventura në natyrë.
Më pas në 1992, pasi kishte hequr dorë nga zotërimet e tij, ai u nis drejt Fairbanks në Alaskë me mjete udhëtimi të rastit, dhe u lëshua drejt botës së egër me nje sasi minimale furnizimesh apo pajisjesh. Në ditarin e tij përfshihen fotografi, me të cilat tregon sesi gjatë shtigjeve të tij gjeti një autobuz të braktisur në parkun kombëtar Denali.

Aty ai ngriti kampin e tij, duke jetuar me ketra, zogj apo lepujt të cilët vriste në gjueti. Pjesa tjetër e dietës së tij ishin rrënjë e fara, dhe aventurieri i ri dukej se po mbijetonte.
Në qershor ai kishte vrarë një patë të egër dhe kishte tentuar të ruante mishin e saj që do ta kishte ushqyer për disa javë. Por tentativa e tij dështoi dhe mishi u kalb.
Ditari i dhimbsur i Mccandless tregon se në korrik ai ishte përpjekur të rikthehej në botën e civilizuar, por ishte penguar nga lumi i pakalueshëm Teklanika.
Kështu që pa opsion tjetër ai ishte detyruar të kthehej në kampin e tij të autobuzit.
Tashmë duke u trembur për jetën e tij, në një akt dëshpërimi djali kishte vendosur një shenjë ‘SOS’ në autobuz për të kërkuar ndihmë, duke shkruar: “Kujdes, vizitorë të mundshëm. S.O.S. Kam nevojë për ndihmë. Jam i plagosur, pranë vdekjes, nuk kam fuqi të eci, nuk është shaka. Ju lutem ndaloni për të më shpëtuar. Kam dalë për të mbledhur fara, kthehem në darkë, Chris Mccandless. Gusht.”
Por asnjë nuk erdhi
Ditaret e Mccandless dokumentojnë 113 ditë të tij në zonë. Shënimi i tij i fundit është i ditës së 107 dhe shkruan vetëm: “Boronica të mrekullueshme.”
Ditët 108 deri në 112 shënohen vetëm nga vija.
Dita e saktë e vdekjes së tij nuk është e qartë por në një nga verimet e tij të fundit djali bëri një foto të vetes teksa në dorë mbante shënimin “Kam pasur një jetë të lumtur, falenderoj Zotin. Lamtumirë dhe Zoti ju bekoftë!”
Por për fat të keq Mccandless nuk e dinte se një teleferik mekanik mund ta kishte ndihmuar atë të kalonte lumin, jo larg nga vendi ku ai ishte kthyer prapa.


