Filipinas, indian apo.../ Gati 30% e vendeve të lira të punës në vend u mbushën me të huaj, 12 mijë morën leje në 6 muaj!

Soft

Filipinas, indian apo.../ Gati 30% e vendeve të lira të punës

Kafen në bar apo ushqimin në një restorant po e shërben një shtetas i huaj, për fëmijët po kujdesen shtetase filipinase, në ndërtim mund të gjesh punonjës indian apo në transport mjetet mund t’i drejtojnë shtetas egjiptian. Ky është realiteti i ri, që dëshmon se tregu i punës në vend po josh gjithnjë e më shumë të huaj, për të mbushur edhe boshllëkun e krijuar nga mungesa e punonjësve vendas.

Shifrat e vëna në dispozicion nga Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive tregojnë se vetëm në gjysmën e parë të këtij viti janë miratuar 12.348 aplikime të bëra nga shtetas të huaj, për punësim në Shqipëri. Ndërsa për gjithë vitin 2025 janë miratuar në total 18.156 aplikime, por ecuria e kërkesave të gjashtëmujorit të parë të vitit, paralajmërojnë kapërcim të shifrave të 2025-ës.

 Aplikimet kanë ardhur në rritje thotë AKPA për shkak se: “kërkesa për punonjës të huaj mbetet më e lartë në sektorët që përballen me nevoja të shtuara për fuqi punëtore, veçanërisht në hoteleri dhe turizëm, industri përpunuese, ndërtim, tregti dhe shërbime”.

Nga janari deri në fund të qershorit janë miratuar 3.797 aplikime të bëra nga shtetasit e huaj për punësim në sektorin e turizmit, duke u rritur me 36.1% në krahasim 2.789 miratime të bëra për gjithë vitin 2025. Kjo tregon se turistëve që vijnë në vendin tonë po iu shërbejnë më shumë të huajt.

 MIRATIME PËR PUNËSIMIN E TË HUAJVE

Viti 2025       Janar-Qershor 2026


Aktivitete shërbimi       3.210                    1.481
Ind. Përpunuese          3.205                    2.038
Akomodimi                  2.789                    3.797
Ndërtimi                      2.635                   1.277
Tregtia                         2.068                   1.270

Për periudhën janar–qershor 2026, ndër shtetësitë me numrin më të lartë të miratimeve janë Italia, Turqia, Kosova, Filipinet, India dhe Egjipti. Në këtë gjashtëmujor shifrat tregojnë se të huajt mbushën 28.3% të vendeve të lira të punës që shpallën bizneset vendase për periudhën.

“Gjatë periudhës janar–qershor 2026, në Sistemin e Shërbimeve të Punësimit janë shpallur gjithsej 43.647 vende të lira pune”, thotë AKPA.

Kërkesa mbetet veçanërisht e konsiderueshme në hoteleri-turizëm, tregti, ndërtim, prodhim, transport dhe shërbime, e që kërkojnë staf për të gjitha kategoritë e profesioneve nga ato me nivele të ulta kualifikimi deri te profesionistët.

ME TE LEXUARAT