Ekspertët japin alarmin: Rrjetet sociale po shkaktojnë ankth, agresivitet dhe izolim te të rinjtë!

Qëndrimi për orë të tëra përpara ekranit po i kushton shtrenjtë të rinjve shqiptarë. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, 1 në 7 individë në vend vuan nga çrregullime të shëndetit mendor – një shifër që lidhet ngushtë me abuzimin me rrjetet sociale.
Rrjetet sociale si Instagram, TikTok apo Snapchat, të aksesueshme 24/7, po shndërrohen në burim ankthi, krahas “argëtimit”. Ekspertja e komunikimit Denisa Canameti shprehet se “ndërveprimi i pakontrolluar me historitë dhe përmbajtjen e këtyre aplikacioneve po prodhon jo vetëm ankth e depresion, por edhe raste të rënda që përfundojnë në kronika të zeza.”
Rrjetet sociale nuk po ndikojnë vetëm në gjendjen emocionale, por edhe në sjelljen sociale. Izolimi dhe presioni virtual kanë shtuar agresivitetin mes të rinjve. Ajo që e bën edhe më alarmante situatën është fakti që shumë prej tyre, për të “qetësuar veten”, kërkojnë ndihmë jo te mjeku, por drejtpërdrejt në farmaci.
Farmacistja Diana Toma ngre alarmin: “Ka raste kur barnat e grupit të benzodiazepinave – që veprojnë drejtpërdrejt në sistemin nervor – jepen pa recetë, ndonëse kjo është e ndaluar me ligj. Kërkesat vijnë jo vetëm nga të rinjtë me probleme mendore, por edhe nga përdorues droge.”
Për të parandaluar pasojat afatgjata të kësaj sjelljeje, ekspertët kërkojnë ndërgjegjësim të menjëhershëm, veçanërisht nga prindërit. Edukimi mbi përdorimin e sigurt të internetit duhet të nisë në shtëpi dhe të forcohet në sistemin arsimor, përmes aktiviteteve jashtëshkollore që stimulojnë ndërveprimin real mes të rinjve.
“Duhet të flasim më shumë me fëmijët tanë. T’i mësojmë si të përdorin teknologjinë pa u varur prej saj. Dhe mbi të gjitha – të kuptojnë kur kanë nevojë për ndihmë të vërtetë”, përfundojnë ekspertët.


