Shpërthen tritoli në një dyqan lulesh më Tiranë/ Policia: Kemi identifikuar autorin

Një shpërthim me tritol ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në Tufinë, në tarracën e një dyqani lulesh, në pronësi të një 65-vjeçari.
Përmes një njoftimi, Policia bën të ditur se si pasojë e shpërthimit janë shkaktuar dëme të vogla materiale.
Ndërkohë nga hetimet është bërë i mundur identifikimi i autorit të dyshuar dhe po punohet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Njoftimi i Policisë:
Tiranë / Informacion paraprak
Më datë 01.11.2026, rreth orës 02:45, në Tufinë, në tarracën e një dyqani lulesh në pronësi të shtetasit A. K., rreth 65 vjeç, është hedhur dhe ka shpërthyer një sasi e vogël lënde plasëse (e dyshuar).
Si pasojë janë shkaktuar dëme të vogla materiale.
Nga veprimet hetimore të kryera është bërë i mundur identifikimi i autorit të dyshuar. Për shkak të vijimit të hetimeve, gjeneralitetet e tij nuk bëhen me dije.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për dokumentimin e plotë të rastit dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes.


