Shkoi të trajtohej kundër plakjes, detaje nga vde'kja e Giorgos Mazonakis, e la zemra brenda klinikës private në Athinë
Një lajm i trishtë dhe i papritur ka tronditur Greqinë, pas ndarjes nga jeta të këngëtarit të njohur, Giorgios Mazonakis, një prej zërave më të dashur të muzikës greke.
Artisti, i cili ishte 54 vjeç, u nda nga jeta papritur pas një arresti kardiak, duke lënë pas dhimbje të madhe te familjarët, miqtë, kolegët dhe mijëra fansa që e kanë ndjekur prej vitesh karrierën e tij muzikore.
Por, ndërsa Greqia është ende nën tronditjen e humbjes së artistit, rrethanat e vdekjes së tij kanë bërë që autoritetet të nisin një hetim. Vëmendja është përqendruar te një klinikë private e qelizave staminale në zonën e Kolonakit, ku Mazonakis ndodhej pak para se të pësonte arrest kardiak.
Mediat greke shkruajnë se, këngëtari i njohur kishte shkuar në klinikë pas një takimi të planifikuar, për t’iu nënshtruar një trajtimi me plazmaferezë, të cilin e kishte planifikuar paraprakisht.
Gjatë përgatitjeve për procedurën, pasi iu vendos një kateter venoz, Mazonakis, sipas dëshmive të stafit të klinikës, ka ndjerë dhimbje të forta në gjoks. Pak më vonë, ai pësoi arrest kardiak.
Stafi i klinikës nisi menjëherë përpjekjet për reanimimin e tij. Përpjekjet vijuan edhe pas mbërritjes së ekipeve të urgjencës dhe më pas në spitalin ku u transportua këngëtari. Megjithatë, pavarësisht ndërhyrjeve mjekësore, Mazonakis nuk arriti të mbijetonte.
Tashmë, pyetja kryesore e hetimit është se çfarë ndodhi në ato minuta dhe nëse procedura që po kryente këngëtari ka pasur ndonjë lidhje me përkeqësimin e menjëhershëm të gjendjes së tij.
Autoritetet po shqyrtojnë rrethanat e arrestit kardiak, por edhe mënyrën se si është kryer trajtimi, kushtet në të cilat është zhvilluar procedura dhe nëse janë respektuar të gjitha rregullat dhe protokollet mjekësore.
Oficerë të policisë kanë shkuar në klinikë, ndërsa në hetim pritet të përfshihen edhe autoritetet kompetente shëndetësore.
Dy mjekë të lidhur me klinikën janë marrë në pyetje në kuadër të hetimit. Sipas raportimeve, njëri prej tyre ka deklaruar se nuk kishte përgjegjësi për incidentin, duke pretenduar se menaxhimi i trajtimeve kryhej nga bashkëshortja e tij, e cila është gjithashtu mjeke.


