“Fjalët mund të lëndojnë shumë...”/ E dashura e Lamine Yamal shpërthen pas sulmeve në rrjet: Kam kaluar orë të tëra...

Ines Garcia Santos, partnerja e futbollistit të Barcelonës dhe Kombëtares spanjolle, Lamine Yamal, ka reaguar publikisht pasi u bë objekt i një vale kritikash dhe komentesh fyese në rrjetet sociale.
Influencuesja spanjolle u përball me akuza nga përdorues të shumtë, të cilët pretenduan se ajo i kishte dhënë fund lidhjes së mëparshme për të nisur një romancë me Yamalin.
Debati u ndez pasi në internet nisën të qarkullojnë fotografi të saj me ish-partnerin, si edhe një koment i shkruar vetëm pak javë më parë, ku ajo i drejtohej atij me fjalët:
“Të dua, zemër”.
Kjo bëri që shumë përdorues të rrjeteve sociale ta akuzonin se kishte kaluar shumë shpejt në një lidhje të re me yllin e Barcelonës.
Pas ditësh komentesh dhe sulmesh, Ines vendosi të thyejë heshtjen me një mesazh të gjatë emocional, ku foli për ndikimin që kanë pasur këto reagime tek ajo.
“Nuk e kam menduar kurrë që publikimi i diçkaje kaq të thjeshtë do të merrte përmasa të tilla. Kam kaluar orë të tëra duke lexuar komentet. Edhe pse përpiqem të jem e fortë, edhe unë jam vetëm njeri. Pas këtij profili fshihet një person me ndjenja, që qan, gabon dhe nuk pushon së qeni njeri vetëm sepse është në një lidhje”, shkroi ajo.
Garcia tha se e kupton që jo të gjithë mund ta pëlqejnë dhe se nuk ka problem me kritikat, për sa kohë ato shprehen me respekt.
“Ka një dallim të madh mes të kesh një mendim dhe të shpenzosh kohë për të poshtëruar, fyer apo për t’i uruar të keqen dikujt që as nuk e njeh. Nuk po i bëj keq askujt. Nuk i kam marrë askujt asgjë. Thjesht po jetoj jetën time”, vijoi partnerja e Lamine Yamal.
Në reagimin e saj, Ines u bëri thirrje njerëzve të mendojnë dy herë para se të shkruajnë komente fyese në internet, duke kujtuar se pas çdo profili fshihet një njeri me emocione, familje dhe pasiguri.
“Ju lutem, mos harroni se fjalët mund të lëndojnë shumë më tepër sesa mendoni”,theksoi ajo.
Në fund të mesazhit, ajo sqaroi se nuk po përpiqet të bindë askënd ta pëlqejë, por dëshiron që komunikimi në rrjetet sociale të karakterizohet nga më shumë mirëkuptim dhe empati.
“Shpresoj që një ditë interneti të mos jetë më një vend ku festohet mizoria. Deri atëherë, do të vazhdoj të jetoj me respekt dhe shpresoj që edhe të tjerët të bëjnë të njëjtën gjë. Faleminderit nga zemra të gjithëve që gjetën kohë ta lexojnë këtë. Më pëlqen thjesht të ndaj momente të vogla nga jeta ime. Nuk dua t’i bëj keq askujt dhe as të shkaktoj që dikush të ndihet keq për atë që publikoj”, përfundoi ajo.
Reagimi i saj ka ngjallur diskutime të shumta në rrjet, me shumë ndjekës që e kanë mbështetur, ndërsa të tjerë vijojnë të komentojnë mbi jetën e saj private dhe marrëdhënien me Lamine Yamal.