"U përpoqën të më merrnin jetën" — Beatrix Ramosaj thyen heshtjen për makthin që i zgjat prej 5 vitesh

Showbiz

"U përpoqën të më merrnin jetën" —

Këngëtarja Beatrix Ramosaj ka reaguar publikisht për një situatë të cilën ajo e përshkruan si përndjekje online që vijon prej më shumë se pesë vitesh, duke publikuar disa Instagram Stories ku flet për qindra llogari false, kontakte me njerëzit e saj të afërt dhe tentativa të vazhdueshme për të mësuar detaje nga jeta e saj private.

Këngëtarja publikoi një screenshot ku shfaqeshin disa kërkesa të njëpasnjëshme për ndryshimin e fjalëkalimit të llogarisë së saj, të mbërritura brenda pak minutash në orët e para të mëngjesit.

"Ora 7 e mëngjesit dhe ky nivel përkushtimi ndaj jetës së dikujt tjetër është në fakt poshtërues," shkroi ajo mbi foton. Në një tjetër postim, Beatrix tha se bëhet fjalë për më shumë se 200 profile false, të cilat sipas saj kanë kontaktuar familjarë, miq dhe madje persona që ajo thjesht i ndjek në rrjete sociale, në përpjekje për të marrë informacione për të.

"E vërteta është se ti di vetëm çfarë unë zgjedh të ndaj. Jeta ime reale ka vazhduar bukur jashtë këtij ekrani," shkroi ajo, duke shtuar se pas më shumë se pesë vitesh nuk ndien më zemërim, por keqardhje për personat që, sipas saj, kanë investuar kaq shumë kohë duke u marrë me jetën e një të panjohure.

Reagimi duket se lidhet me një periudhë që për Beatrix nisi pas "Big Brother VIP Albania 1", kur jeta e saj private u kthye në një prej temave më të komentuara në rrjet.

Gjatë dhe pas përvojës së saj në reality show, raporti me Donald Veshajn u diskutua për muaj me radhë, ndërsa këngëtarja u përball edhe me një valë të madhe komentesh dhe gjykimesh online.

Pa përmendur emra dhe pa e lidhur drejtpërdrejt personin që ajo akuzon me një grup të caktuar fansash apo me historinë me Donaldin, Beatrix e bëri të qartë se situata, sipas saj, vazhdon prej më shumë se pesë vitesh.

"Imagjino të kalosh mbi pesë vite e fiksuar pas dikujt dhe përsëri të mos arrish kurrë aq pranë sa ta njohësh vërtet," shkroi ajo në një prej postimeve.

Më tej, këngëtarja theksoi se nuk ka ndërmend të distancohet apo të turpërohet nga e shkuara për shkak të gjykimit të të tjerëve.

"Unë zotëroj jetën time, historinë time, zgjedhjet e mia. Të gjitha. Nuk ka asgjë që mund të më thuash mua apo njerëzve që dua që të më bëjë të ndihem ndryshe për një jetë që e kam jetuar plotësisht si timen. Dhe kjo është fuqia ime," shkroi ajo.

Beatrix shtoi se ka qenë gjithmonë e hapur për jetën e saj dhe se, edhe pse ka bërë zgjedhje që sot mund t’i bënte ndryshe, nuk ka ndërmend t’ua lërë të tjerëve mundësinë t’ia përdorin kundër.

"Pranoje historinë tënde përpara se dikush tjetër të përpiqet ta përdorë kundër teje. Prano të mirën, rrëmujën, zgjedhjet që sot do t’i bëje ndryshe. Është jeta jote," shkroi ajo, përpara se ta mbyllte me një mesazh të drejtpërdrejtë:

"Pesë vite janë një kohë shumë e gjatë për t’i humbur me jetën time. Shpresoj që një ditë të mësoni ta doni jetën tuaj po aq sa dua unë timen."

ME TE LEXUARAT