"Revolucioni i ditës së parë të vjeshtës" — Aktivisti Çepa paralajmëron përshkallëzim pas përplasjeve te Kryeministria

Aktualitet

"Revolucioni i ditës së parë të vjeshtës"

Protesta kundër qeverisë ka hyrë në ditën e saj të 95-të, ndërsa tubimi i fundit që përkoi me datën 1 shtator u shoqërua me tensione dhe përplasje mes protestuesve dhe Policisë së Shtetit.

I ftuar në studion e News24, aktivisti Erikleo Çepa, ka zbardhur prapaskenat e zhvillimeve të fundit në bulevard, duke e cilësuar këtë fazë të re si “revolucionin e ditës së parë të vjeshtës”.

I pyetur mbi shkaqet që provokuan tensionet dhe përplasjet fizike anash godinës së ekzekutivit, Çepa sqaroi se lëvizja e protestuesve erdhi pasi kishte informacione se kryeministri ndodhej brenda zyrës së tij.

Ai theksoi se plani i protestuesve ishte rrethimi i godinës për të kërkuar dorëheqjen e tij dhe jo për të kërkuar komunikim. Sipas aktivistit, provokimi i parë u nxit nga vetë policia përmes efektivëve me rroba civile.

“Nuk ka më durim që ne të presim me trëndafila kryeministrin. Provokimin e nisi policia duke vendosur ato konfliktet mes civilëve dhe protestuesve. U bënë civilët ata që vazhduan të provokonin njerëzit nëpër protestë duke i shtyrë drejt konflikteve, diçka që policia s’duhet ta bënte,” u shpreh Çepa.

Sa i përket vazhdimësisë së aksionit qytetar dhe zërave për përçarje apo etiketime, aktivisti bëri thirrje për bashkim, duke paralajmëruar se skenari nuk duhet të përsëritet si ai i vitit 2018.

Ai u shpreh plotësisht i bindur se si rinia, ashtu edhe brezi i prindërve, tashmë i kanë hapur sytë përballë manipulimit politik. Sipas Çepës, pas fazës së vjeshtës, me hyrjen e stinës së dimrit protesta pritet të marrë përmasa edhe më të mëdha.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion