Agron Llakaj rikthehet në “Portokalli” pas 16 vitesh dhe merr drejtimin e spektaklit

Pas 16 vitesh, Agron Llakaj rikthehet në “Portokalli”, këtë herë jo vetëm si aktor, por edhe në drejtimin e spektaklit të humorit në Top Channel.
Humoristi do të ngjitet sërish në skenë si moderator dhe aktor, ndërsa rikthimin e tij e ka përshkruar me humor si një lloj “rikthimi të Odisesë”.
“Me mbështetjen e Lorit dhe Top Channel, mendoj se kemi të gjitha mundësitë që ‘Portokalli’ të rimarrë ngjyrimin e atij që e themeloi, që i vuri këtë emër kaq të bukur. Unë isha i pari që erdha dhe ky rikthimi im është si rikthimi i Odisesë."

Llakaj theksoi se rikthimi i tij nuk është një nisje nga zero, por një bashkim i eksperiencës së tij me energjinë e aktorëve që kanë qenë pjesë e spektaklit ndër vite.
“Portokallia është tani shtëpia e vetme e humorit në Shqipëri dhe, përveç kontributeve dhe energjisë që kanë përcjellë aktorët, ardhja ime nuk është nisje nga zero, por bashkim i energjive," u shpreh ai në një intervistë për Top Channel.
Llakaj u largua nga programi i humorit në vitin 2010 dhe më pas vijoi karrierën televizive në formate të tjera.
Fillimisht moderoi “Kush do të bëhet milioner”, ndërsa nga viti 2012 deri në vitin 2019 ishte autor, regjisor, skenarist dhe aktor i “Al Pazar”. Më pas vijoi me formatin satirik “Fake Off” në Vizion Plus.


