Policia Rrugore në Durrës 'shkund' me gjoba qytetarët: 8 të arrestuar dhe mbi 1.600 masa administrative brenda një jave

Dronë, radarë dhe makina inteligjente kanë monitoruar gjatë gjithë javës akset rrugore të qarkut të Durrësit, në kuadër të kontrolleve të shtuara për parandalimin e aksidenteve dhe menaxhimin e trafikut gjatë sezonit veror.
Si rezultat i kontrolleve të zhvilluara nga 24 deri më 31 gusht, Policia Rrugore arrestoi 8 drejtues mjetesh dhe procedoi penalisht 5 të tjerë për veprat penale “Drejtimi i mjeteve në mënyrë të parregullt” dhe “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.
Gjatë kësaj periudhe u vendosën gjithsej 1.621 gjoba për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor. Pjesa më e madhe e tyre, 965 , ishin për tejkalim të shpejtësisë.
Ndërkohë, u vendosën edhe 518 gjoba për ndalim ose qëndrim të gabuar, 44 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit, 41 për mosvendosjen e rripit të sigurimit, 30 për parakalime të gabuara dhe 23 për përdorimin e celularit gjatë drejtimit të mjetit.
Policia Rrugore bën të ditur se kontrollet do të vijojnë në të gjitha akset urbane, interurbane dhe rurale, me përdorimin e mjeteve bashkëkohore, me synim rritjen e sigurisë rrugore.


