Shiste dro'gë pranë gjimnazeve, arrestohet 31-vjeçari, i sekuestrohet makina 50 mijë euro

Një tentativë për të shitur droga të forta pranë shkollave të mesme është goditur në Kolonjë të Lushnjës.
Operacioni njëmujor i koduar “Kontigjenti” përfundoi me arrestimin e një 31-vjeçari me inicialet M.S. (K.).
31-vjeçarit iu gjet kokainë dhe heroine gati për shitje, ndërsa u konstatua se posedonte një makinë me vlerë 50 mijë euro, që dyshohet të jetë produkt i veprimtarisë kriminale.
“Sekuestrohen automjeti dhe sasitë e lëndëve narkotike Heroinë dhe Kokainë, ndarë në doza. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, si rezultat i një hetimi proaktiv, të kryer në koordinim me Prokurorinë, për dokumentimin e veprimtarisë kriminale të një shtetasi, në fushën e narkotikëve, finalizuan operacionin e koduar “Kontigjenti”, gjatë të cilit u arrestua në flagrancë, në afërsi të një shkolle të mesme në Kolonjë, shtetasi M. S.(K.), 31 vjeç, banues në Kolonjë.
Gjatë kontrollit fizik, 31-vjeçarit iu gjetën doza të lëndëve të dyshuara narkotike Heroinë dhe Kokainë, gati për shitje. Më tej, gjatë kontrollit në banesën e tij, u konstatua se posedonte 1 automjet tip “Audi SQ8” me vlerë rreth 50 000 euro, të cilin dyshohet se e ka përfituar nga veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.


