Serbia drejt kutive të votimit, shqiptarët e Luginës së Preshevës garojnë me listë të përbashkët

Qytetarët në Serbi votojnë sot në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, në një klimë të tensionuar politike, pas protestave të vazhdueshme kundër pushtetit të presidentit Aleksandër Vuçiç.
Një rëndësi të veçantë për shqiptarët ka pjesëmarrja në këto zgjedhje përmes listës së përbashkët “Koalicioni Shqiptar”, me të cilën partitë politike shqiptare të Luginës së Preshevës synojnë të rrisin përfaqësimin e tyre në Parlamentin serb. Deri më tani, shqiptarët e kësaj zone janë përfaqësuar nga deputeti Shaip Kamberi.
Sipas mediave vendase, qendrat e votimit janë hapur në orën 07:00 dhe do të qëndrojnë të hapura deri në orën 20:00. Për të votuar, qytetarët duhet të paraqesin një kartë identiteti ose pasaportë të vlefshme.
Në këto zgjedhje kanë të drejtë vote 6.451.292 qytetarë, ndërsa në garë janë 18 lista zgjedhore, me gjithsej 2.418 kandidatë. Votimi zhvillohet në 8.392 qendra në të gjithë vendin.
Procesi zgjedhor është mundësuar edhe për votuesit nga Kosova, për të cilët janë hapur 10 qendra votimi. Ata mund të votojnë në Vranjë, Kurshumli, Rashkë dhe Tutin.
Në fletën e votimit përfshihen lista e Aleksandër Vuçiçit, ajo e Ivica Daçiçit, lista e studentëve “Studentët Fitojnë”, si dhe subjekte të tjera politike dhe përfaqësues të pakicave kombëtare.
Për partitë që nuk përfaqësojnë pakicat kombëtare, pragu zgjedhor është 3% e votave të vlefshme. Ndërsa listat e pakicave kombëtare përfitojnë nga pragu natyror, duke marrë pjesë në ndarjen e mandateve edhe nëse nuk arrijnë pragun e zakonshëm.
18 lista zgjedhore para votuesve:
1. ”Aleksandar Vuçiç – Serbia e Bashkuar”
2. “Ivica Daçiç – Faktori i Stabilitetit”
3. “Lista e Studentëve – Studentët Fitojnë”
4. “Rasim Ljajić – SDP/CDP Popullore” (Lista zgjedhore e pakicës kombëtare boshnjake)
5. “Bashkimi i Hungarezëve të Vojvodinës – Dr. Balint Pastor” (lista zgjedhore e pakicës kombëtare hungareze)
6. “Lëvizja për Bashkim Usame Zukorlić” (lista zgjedhore e pakicës kombëtare boshnjake)
7. “Partia Ruse Serbia në BRICS – Slobodan Nikolić” (lista zgjedhore e pakicës kombëtare ruse)
8. “E Djathta Autentike – Dr. Miloš Jovanović – DSS e Re – Monarkistët, Koalicioni Serb – Shpresa, Alternativa Demokratike Kombëtare, Partia e Re Demokratike e Serbisë, Lëvizja për Mbretërinë e Serbisë, Serbia e Trimë”.
9. “Serbia Europiane: Marinika Tepić, Zdravko Ponos, Partia e Lirisë dhe Drejtësisë, Zemra e Qendrës Serbe, Solidariteti, Vetëmbrojtja, Çlirimi”
10. “SDA Sanxhak – Gardianët e Sanxhakut” (Lista zgjedhore e pakicës kombëtare boshnjake)
11. “Bogoljub Kariq – Lëvizja e Forcave Serbe – BK”
12. “Partia Liberale e Gjelbër – për një Serbi të lirë dhe më të pastër”
13. “Unë zgjedh drejtësinë – Unë zgjedh të ardhmen – Forca e koalicionit – Prof. Dr. Ferid Bulić – Vasilios Provelegios – Partia e së Ardhmes dhe Zhvillimit – Partia Qytetare e Grekëve të Serbisë” (lista zgjedhore e pakicave kombëtare boshnjake dhe greke)
14. “Partia e Unitetit Ruso-Serb – Rusët dhe Serbët Vëllezër Përgjithmonë” (lista zgjedhore e pakicës kombëtare ruse)
15. “Babi, kjo është për ty – Petar Gjuriç – Kryeministër i Serbisë”
16. “Vladimir Gajić – Alternativa për Serbinë – Partia Popullore, Rebelimi – Serbia e Vërtetë”
17. “Koalicioni Shqiptar” (lista zgjedhore e pakicës kombëtare shqiptare)
18. “Nëna Serbi – Gruda” (lista zgjedhore e pakicës kombëtare sllovake)
Këto janë zgjedhjet e 15-ta parlamentare në Serbi që prej rikthimit të sistemit shumëpartiak në vitin 1990 dhe të dhjetat të parakohshme.


