Rama reagon për Veliajn: Absurde ta mbash në burg e të thuash se s’mund të zëvendësohet sepse është në detyrë
Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish lidhur me paraburgimin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, duke e cilësuar situatën absurde dhe duke e lidhur atë me një çështje që, sipas tij, prek demokracinë dhe funksionimin e institucioneve të zgjedhura.
Në deklaratën e tij, Rama u shpreh se e ka kundërshtuar edhe më parë mbajtjen në paraburgim të Veliajt pa një proces gjyqësor të përfunduar, duke përsëritur qëndrimin se qytetarëve të kryeqytetit nuk mund t’u hiqet kryetari i zgjedhur dhe, njëkohësisht, të argumentohet se ai nuk mund të zëvendësohet për shkak se vazhdon të jetë në detyrë.
“Po do të gjeni fjalë të miat, për paraburgimin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, është absurd dhe mbetet një çështje e demokracisë. E kam thënë këtë gjë, e përsëris. Nuk mund t'i marrësh ti kryeqytetit kryetarin e zgjedhur dhe ta mbyllësh brenda pa gjyq.
Nuk mund të thuash po ti që jo ky nuk mund të zëvendësohet se ky është në detyrë. O njërën, o tjetrën, të dyja bashkë janë një nonsens. Por asnjëherë s’kam thënë e s’do them në lidhje me meritën e çështjes”, deklaroi Rama.
Kreu i qeverisë bëri kështu një dallim mes kundërshtimit të masës së paraburgimit dhe vlerësimit të akuzave ndaj Veliajt. Ai theksoi se qëndrimi i tij lidhet me mënyrën se si po trajtohet kryebashkiaku dhe jo me fajësinë apo pafajësinë e tij në çështjen penale.
Deklarata e Ramës rikthen në vëmendje debatin për vijimin e ushtrimit të funksioneve të Bashkisë së Tiranës në kushtet kur kryebashkiaku ndodhet në paraburgim, si dhe për raportin mes mandatit të marrë nga zgjedhësit dhe masave të sigurisë të vendosura nga drejtësia.


