Pse, pas një moshe të caktuar, shpesh zgjohemi në orën 3 të mëngjesit?

Të zgjohesh në mes të natës, të shikosh orën dhe të zbulosh se është sërish ora 3:00 e mëngjesit — ose pak më vonë — është një përvojë e zakonshme.
Kjo u ndodh kaq shumë njerëzve, saqë me kalimin e kohës ka çuar në shfaqjen e llojeve të ndryshme të shpjegimeve, duke filluar nga ato që lidhen me stresin e deri te interpretimet më fantastike. Në realitet, ekziston një arsye fiziologjike për këtë saktësi të çuditshme: gjatë gjysmës së dytë të natës, gjumi bëhet më i lehtë dhe trupi fillon gradualisht të përgatitet për t'u zgjuar. Ky fenomen bëhet gjithashtu më i dukshëm me kalimin e moshës.
Gjumi nuk është një gjendje e njëtrajtshme që zgjat deri në mëngjes; përkundrazi, ai zhvillohet në cikle që zgjasin afërsisht 90 deri në 120 minuta.
Në orët e para mbizotëron gjumi i thellë (me valë të ngadalta) — një gjendje nga e cila është e vështirë të zgjohesh. Ndërsa nata kalon, përpjesëtimi i gjumit REM — i lidhur me ëndrra të gjalla — rritet, dhe zgjimet e shkurtra ndodhin më shpesh gjatë kalimeve midis këtyre fazave. Te njerëzit më të rinj, këto zgjime mund të jenë aq të shkurtra saqë kalojnë pa u vënë re; megjithatë, me rritjen e moshës ose gjatë periudhate të stresit, kalimi drejt gjendjes së zgjuar ka më shumë gjasa të çojë në hapjen e syve.
Ritmi cirkadian — sistemi biologjik që rregullon temperaturën e trupit, hormonet dhe ciklin gjumë-zgjim gjatë një periudhe 24-orëshe — luan gjithashtu një rol.
Temperatura e brendshme e trupit arrin pikën e saj më të ulët në orët para agimit, ndërsa nivelet e kortizolit fillojnë të rriten gradualisht në përgatitje për mëngjesin. Pra, nuk ka ndonjë mekanizëm "magjik" që aktivizohet pikërisht në orën 3:00 të mëngjesit; koha specifike ndryshon në varësi të kronotipit dhe zakoneve personale të individit. Megjithatë, për ata që bien për të fjetur në orare të zakonshme, periudha kur gjumi bëhet më i lehtë mund të përkojë pikërisht me këto ndryshime biologjike.
Një hipotezë tjetër ka të bëjë me të ashtuquajturin gjumë të segmentuar.
Historiani Roger Ekirch ka mbledhur mbi 500 referenca nga epoka para-industriale që flasin për një "gjumë të parë" dhe një "gjumë të dytë", të ndara nga një periudhë zgjimi. Në vitet 1990, Thomas Wehr, një studiues në Institutin Kombëtar të Shëndetit Mendor, u përpoq të përcaktonte nëse ky model kishte një bazë biologjike.
Gjashtëmbëdhjetë vullnetarë u ekspozuan ndaj 14 orëve errësirë çdo natë për një muaj; pas disa javësh, pushimi i tyre u organizua në mënyrë spontane në dy blloqe prej rreth katër orësh secili, të ndara nga një periudhë zgjimi që zgjaste nga një deri në tri orë. Gjetjet sugjeruan se fjetja për tetë orë të pandërprera mund të mos jetë i vetmi model i mundshëm për qeniet njerëzore. Megjithatë, një studim tjetër, i botuar në vitin 2023 në revistën Medical History, argumenton se provat që mbështesin idenë se gjumi i segmentuar ishte modeli mbizotërues në shoqëritë para-industriale, nuk janë aq bindëse sa pretendohet shpesh.
Në realitet, statistikat tregojnë se zgjimi gjatë natës është — dhe ka qenë gjithmonë — shumë i zakonshëm dhe një pjesë normale e procesit të gjumit.
Në një anketë të vitit 2010, 31,2 për qind e të rriturve evropianë raportuan se zgjoheshin në mes të natës të paktën tri herë në javë. Pra, çështja nuk qëndron te vetë veprimi i hapjes së syve gjatë natës, por te shpeshtësia e këtyre zgjimeve dhe vështirësia për të rënë sërish në gjumë. Në këtë drejtim, zakonet personale shpesh e përkeqësojnë situatën: marrja e telefonit, kontrollimi i mesazheve apo leximi i lajmeve mund ta bëjnë më të vështirë rikthimin në gjumë, pasi drita nga ekranet ndërhyn në prodhimin e melatoninës. Situata ndryshon nëse zgjimi shoqërohet nga lodhje e theksuar gjatë ditës, gërhitje e fortë ose ndjesi mbytjeje; në raste të tilla, mund të bëhet fjalë për gjendje që kërkojnë monitorim, siç është apnea e gjumit.


