Ndryshimi që ju kursen punë, blini një elektroshtëpiake të re? Të vjetrën mund të vijnë të jua marrin falas

Aktualitet

Ndryshimi që ju kursen punë, blini një elektroshtëpiake
Qytetarët mund të përfitojnë dorëzimin pa pagesë të pajisjeve të vjetra elektroshtëpiake, kur blejnë një pajisje të re të të njëjtit lloj.

Projektvendimi “Për menaxhimin e mbetjeve të pajisjeve elektrike dhe elektronike”, është hedhur për konsultim nga Ministria e Mjedisit.

Sipas propozimit, tregtarët do të kenë detyrimin të pranojnë një pajisje të vjetër për çdo pajisje të re të shitur, me kusht që ato të jenë të të njëjtit lloj dhe të kryejnë të njëjtin funksion. Kështu, blerja e një frigoriferi, lavatriçeje apo televizori të ri do të mundësojë dorëzimin e pajisjes së vjetër përkatëse, pa tarifë për pranimin e saj.

Projektvendimi parashikon detyrime shtesë për dyqanet me sipërfaqe mbi 400 metra katrorë, të dedikuara për shitjen e pajisjeve elektrike dhe elektronike. Këto subjekte do të duhet të pranojnë pa pagesë pajisje elektronike shumë të vogla, edhe në rastet kur qytetarët nuk blejnë një produkt të ri.

Një tjetër element i nismës lidhet me krijimin e një sistemi të posaçëm për grumbullimin e pajisjeve jashtë përdorimit, të ndara nga mbetjet e zakonshme shtëpiake. Qëllimi është lehtësimi i riciklimit dhe garantimi i trajtimit të sigurt të përbërësve që mund të përbëjnë rrezik për mjedisin dhe shëndetin.

Në këtë kuadër, bashkitë do të duhet të organizojnë pika të posaçme grumbullimi, ku qytetarët të mund të dorëzojnë pa pagesë pajisjet elektrike dhe elektronike të përdorura. Për ngritjen e këtij sistemi, projektvendimi parashikon një afat prej tre vitesh nga hyrja e tij në fuqi.

Edhe prodhuesit dhe distributorët do të kenë përgjegjësi për informimin e qytetarëve mbi mënyrat e dorëzimit të pajisjeve të vjetra dhe rreziqet që lidhen me hedhjen e tyre në mënyrë të pakontrolluar.

Nisma synon të përmirësojë menaxhimin e mbetjeve elektrike dhe elektronike, duke nxitur grumbullimin e diferencuar, riciklimin dhe trajtimin e tyre në mënyrë më të sigurt për mjedisin.

 


 

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion