Nis beteja, Magjistratët çojnë Kuvendin në Kushtetuese për pagat, çfarë pritet të ndodhë

Aktualitet

Nis beteja, Magjistratët çojnë Kuvendin në Kushtetuese
Gjykata Kushtetuese ka vendosur kalimin në seancë të kërkesës së Magjistratëve për çështjen e pagave. Kështu, Kushtetuesja do ta shqyrtojë në një seancë kërkesën, para se të marrë vendimin.  

Kërkesa që do të shqyrtohet është ajo e paraqitur nga Shoqatat e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, të cilët kundërshtojnë ndryshimet ligjore për pagat e magjistratëve, të miratuara nga Kuvendi, në orët pas mesnate të 18 shtatorit. 

Në një qëndrim të përbashkët, Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve, Shoqata e Prokurorëve dhe Forumi i Grave Gjyqtare kërkojnë pezullimin e zbatimit të ligjit, shfuqizimin e tij si të papajtueshëm me Kushtetutën dhe shqyrtimin me përparësi të çështjes. 

Deklarata e plotë, ku u paralajmërua kërkesa drejtuar Gjyykatës Kushtetuese:
Me keqardhje kemi ndjekur procedurën parlamentare për miratimin e projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 96/2016, ‘Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë’”. Që në fillim, kjo procedurë është karakterizuar, në vlerësimin tonë, nga shkelje të kërkesave kushtetuese, duke nisur nga miratimi i projektligjit përtej afatit kushtetues, mungesa e një analize financiare nga Këshilli i Ministrave, mungesa e konsultimit efektiv dhe dëgjimi tërësisht formal i grupeve të interesit dhe, në fund, hyrja e menjëhershme në fuqi e ligjit. 

Shoqatat tona mbeten të palëkundura në qëndrimin e tyre për rivendosjen e të drejtave kushtetuese të magjistratëve, të cilat janë cenuar haptazi nga ligji i miratuar në orët e mesnatës. Në këtë kuadër, informojmë opinionin publik se, me të njëjtën urgjencë me të cilën ky projektligj u shqyrtua, u miratua dhe u dekretua, do t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese, duke kërkuar pezullimin e zbatimit të ligjit, shfuqizimin e tij si të papajtueshëm me Kushtetutën, si dhe shqyrtimin e çështjes me përparësi. 

Kjo kërkesë bëhet e domosdoshme pasi, përmes këtij ligji, cenohet jo vetëm statusi financiar i magjistratëve, i cili është i lidhur ngushtësisht me garantimin e pavarësisë së tyre, por edhe vetë themelet e shtetit të së drejtës, për shkak të mosrespektimit të hapur të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese. 

Shoqatat tona shprehin bindjen e plotë në integritetin e procesit kushtetues dhe besimin se Gjykata Kushtetuese do të rivendosë standardet kushtetuese të cenuara. Kemi besimin e plotë se do të jetë pikërisht procesi kushtetues ai që do të sqarojë çështjet e ngritura dhe do të hedhë poshtë përpjekjet për të diskredituar magjistratët dhe kërkesat e tyre legjitime. 

Theksojmë edhe një herë se kjo çështje nuk ka të bëjë me interesa financiare, siç është tentuar, në mënyrë të shtrembëruar, t’i paraqitet opinionit publik gjatë gjithë këtij procesi. Ajo lidhet me respektimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, garantimin e pavarësisë së organeve të drejtësisë dhe mbrojtjen e themeleve të shtetit të së drejtës. 

Për mbrojtjen e këtyre parimeve dhe vlerave kushtetuese, shoqatat tona mbeten të palëkundura dhe do të përdorin çdo mjet ligjor që Kushtetuta dhe ligji u vënë në dispozicion. 

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion