Protestat e studentëve bëjnë jehonë në Francë/ “Le Monde” dhe “Le Figaro”: Tirana zien nga zemërimi ndaj Ramës

Protestat kundër qeverisë së Edi Ramës kanë tërhequr vëmendjen e mediave të mëdha ndërkombëtare.
Dy prej gazetave më të njohura franceze, “Le Monde” dhe “Le Figaro”, po pasqyrojnë zhvillimet në Shqipëri, ku demonstratat dhe thirrjet për dorëheqjen e kryeministrit vijojnë të mbajnë të tensionuar situatën politike.
Gazeta prestigjioze franceze “Le Monde” i kushton vëmendje protestave të zhvilluara në Tiranë, duke theksuar se demonstruesit kanë dalë në rrugë për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Sipas raportimit të saj, protestat janë shtrirë edhe në qytete të tjera të vendit, ndërsa studentët janë bërë pjesë e rëndësishme e lëvizjes.
Pakënaqësitë e tyre lidhen me kushtet në universitetet shqiptare, kostot e larta të studimeve dhe mungesën e mbështetjes për të rinjtë. Këto kërkesa janë ndërthurur me revoltën më të gjerë kundër qeverisë dhe akuzat për korrupsion.
Edhe gazeta tjetër e njohur franceze, “Le Figaro”, i ka kushtuar vëmendje zhvillimeve në Shqipëri, duke vënë në fokus zemërimin që po shfaqet në rrugët e kryeqytetit kundër Edi Ramës.
Në raportimin e saj, gazeta ndalet te lëvizja protestuese që prej javësh kundërshton qeverinë, ndërsa përfshirja e studentëve i ka dhënë një dimension të ri mobilizimit.
Protestuesit kundërshtojnë kostot e arsimit të lartë, kushtet në universitete dhe mungesën e perspektivës për të rinjtë. Në të njëjtën kohë, një pjesë e demonstruesve e lidh pakënaqësinë me akuzat për korrupsion dhe mënyrën e qeverisjes.
Thirrjet për dorëheqjen e kryeministrit janë kthyer në një nga kërkesat kryesore të protestave, të cilat tashmë kanë kapërcyer kufijtë e kryeqytetit.
Vëmendja që mediat franceze po i kushtojnë situatës në Shqipëri vjen në një moment kur demonstratat po vijojnë, studentët po mobilizohen dhe presioni ndaj qeverisë socialiste po rritet.


