Protestuesit thyejnë dhe u vënë flakën “karrigeve të dialogut” para Kryeministrisë

Edhe në ditën e 13-të, protestuesit vijojnë të refuzojnë thirrjen e kryeministrit Edi Rama për dialog. Me të përfunduar marshimin nga Ministria e Arsimit te kryeministria, ata kanë thyer karriget e dialogut dhe më pas u kanë vënë flakën.
Marshimi nisi pas disa minutash te Ministria e Arsimit, ku si fillim hodhën disa gurë drejt institucionit dhe shkulën ca pllaka.
Policia është në gatishmëri, bashkë me autobotët, por deri tnai s’ka përdorim të ujit apo gazit lotsjellës. Thirrjet e protestuesve kanë vijuar për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama si dhe u kanë kërkuar policëve që ta arrestojnë.
Dy protestuese u kanë kërkuar ‘llogari’ disa efektivëve për “dhunën në këmbim të 2500 eurove”, shumë kjo e premtuar nga kryeministri Rama si shpërblim për punën e policisë gjatë këtyre ditëve.
Protesta e një dite më parë, e cila përshkallëzoi në akte të dhunshme e lëndime të protestuesve dhe efektivëve, ekspozoi Partinë Demokratike si një prej organizatoreve të sulmeve të dhunshme.

Ndonëse militantët e PD u braktisën në ‘protestën’ e tyre te kryeministria në orën 12:00, ata ‘u kujdesën’ që të orkestronin sulme të shumta me molotovë e gurë ndaj policisë. Ishin pamjet me dron ato që treguan protestuesit e maskuar duke hyrë e dalë nga selia blu, pas ‘furnizimit’ me molotovë.
Në krye të sulmeve u panë Belind Këlliçi, Bledion Nallbati e Arkimed Lushaj (Stresi), ndërsa vetë Sali Berisha nuk mori pjesë në protestë.


