“Rama kërkon të mbjellë frikë me ligjet për protestat!” / Studenti: Dërgimi i të plagosurit në Itali zbuloi dështimin e shëndetësisë

Në ditën e 13-të të protestës studentore kundër qeverisë së Edi Ramës, një prej të rinjve pjesëmarrës ka kundërshtuar paralajmërimet e kryeministrit për ndryshime ligjore që synojnë ndëshkimin e personave që ushtrojnë dhunë gjatë protestave.
Sipas tij, këto deklarata janë strategji të vjetra manipulimi dhe nxitjeje të frikës te qytetarët.
“Ato janë strategji shumë të vjetra të manipulimit dhe të nxitjes së frikës te njerëzit. Njëherë e para për të ndryshuar Kushtetutën dhe ligjet duhet shumë kohë dhe duhet të kalojë disa procese. E dimë që Gjykata Kushtetuese duhet të vendosë për këto vendime dhe nuk mundet që një njeri të bëjë të gjitha ligjet sipas dëshirës dhe interesit të tij momental”,- tha i riu.
I riu u ndal edhe te dhuna e ushtruar gjatë protestës së djeshme, ku një protestues u godit në sy me plumb gome nga policia. Ai kritikoi deklaratën e kryeministrit se ishte angazhuar personalisht për ta dërguar të riun për kurim jashtë vendit. Sipas protestuesit, fakti që një qytetar duhet të mbështetet te ndërhyrja personale e kryeministrit për të marrë trajtim të specializuar jashtë Shqipërisë është tregues i problemeve në sistemin shëndetësor.
“Dhuna është totalisht jo proporcionale. Imazhet që po shohim mendoj që po nxisin më shumë njerëzit dhe po tregojnë arsyen se përse kjo protestë po ndodh. E di që rasti i djeshëm ka qenë i tmerrshëm.
Dhe përgjigjja e kryeministrit duke thënë se është marrë personalisht me individin për ta dërguar për kurim jashtë shtetit, është një përgjigje turpi në vetvete sepse e para ne duhet t’i kishim kushtet në Shqipëri dhe ai duhet të ndjejë turp që nuk janë ato kushte në Shqipëri. Dhe e dyta, për të gjithë ata që nuk kanë mundësi kontakti drejtpërdrejt me kryeministrin, si ia dalin? Pacientët e Onkologjikut, familjet që janë nëpër korridoret e spitaleve çdo ditë”,- tha i riu.


