Protesta në kryeqytet, 23 të lënduar gjatë protestës, Ministria e Shëndetësisë jep detajet për gjendjen e tyre

Ministria e Shëndetësisë bën me dije se 23 persona janë paraqitur në strukturat shëndetësore pas protestës së 24 tetorit në Tiranë.
Në një përditësim të fundit ministria njofton se në Spitalin e Traumës janë trajtuar 16 persona, mes tyre 12 protestues, 2 përfaqësues të medias dhe 2 efektivë policie. Njëri prej protestuesve, i dëmtuar në sy, iu nënshtrua ndërhyrjes kirurgjikale urgjente, ndërsa sot do të vlerësohet nga një ekip i përbashkët mjekësh për vijimin e trajtimit.
Në QSUT janë paraqitur 5 persona, mes tyre një deputet, një protestues, 2 policë dhe një përfaqësues i medias. Ndërsa në Poliklinikën e Specialiteteve Nr. 2 kanë marrë trajtim 2 efektivë policie.
Sipas Ministrisë, personat e trajtuar në QSUT dhe poliklinikë janë larguar pasi kanë marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.
Përditësim informacioni mbi të lënduarit gjatë protestës së djeshme, 25 tetor 2026, oa 09:15
Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, sipas informacioneve paraprake nga strukturat spitalore dhe poliklinikat informon se gjatë protestës së datës 24 tetor 2026 në strukturat shëndetësore janë paraqitur 23 të lënduar:
Në Spitalin Universitar të Traumës janë paraqitur 16 të lënduar:
- 12 protestues. Njëri prej të cilëve i lënduar në sy.
- 2 përfaqësues të medias.
- 2 efektivë policie.
Për protestuesin e lënduar në sy: është kryer dje ndërhyrja kirurgjikale e urgjencës. Sot do të zhvillohet një konsultë e zgjeruar, me ekip të përbashkët profesionistësh të SUT dhe QSUT për të përcaktuar vijueshmërinë e trajtimit.
Në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, janë paraqitur:
- 1 deputet i Kuvendit
- 1 protestues
- 2 efektivë policie
- 1 përfaqësues i medias
Të lënduarit kanë marrë mjekimin dhe kanë lënë ambientet e QSUT.
Poliklinika e Specialiteteve Nr.2, Tiranë janë paraqitur:
- 2 efektivë policie, të cilët kanë marrë trajtim e nevojshëm dhe janë larguar. (A2 Televizion)


