Vrasja e 14-vjeçarit, Rama: Të mbyllim plotësosht Tik Tok dhe SnapChat

Kryeministri Edi Rama ka njoftuar një vendim të fortë që mund të marrë qeveria e tij, për të ndaluar përgjithmonë në territorin shqiptar përdorimin e dy platformave të rrjeteve sociale, "TIK TOK" dhe "SNAPCHAT", si një mënyrë për të kufizuar krimet në internet dhe mbrojtjen e fëmijëve.
Ky vendim, siç tha Edi Rama, vjen pas vrasjes makabre të 14 vjeçarit Martin Cani përpara shkollës "Fan Noli" në Tiranë, dy ditë më parë. Megjithatë, ky vendim do të këshillohet me prindërit e fëmijëve në shkolla dhe nëse shumica vendos PO, atëherë "TIK TOK" dhe "SNAPCHAT" mund të ndalohen përgjithmonë në Shqipëri.
"Dilema jonë si qeveri është nëse duhet të provojmë edhe ne të ecim në drejtim të vendosjes së filtrave, kur në fakt nga të gjitha eksperiencat në Europë mësojmë se efektiviteti i tyre është shumë i ultë, dhe bullizmi mes fëmijëve vetëm rritet, apo të marrim një masë drastike për mbylljen e plotë të Tik Tok dhe Snap Chat në republikën e Shqipërisë", u shpreh kryeministri.

