“Uji i Tiranës i dëmshëm”, reagon Meta: Ndërmarrja e Ujësjellësit ka rrezikuar jetën e qytetarëve

Politikë

“Uji i Tiranës i dëmshëm”, reagon Meta:

Gjykata Administrative e Tiranës pranoi ditën e djeshme, se cilësia e ujit që furnizohet kryeqytetit është jashtë parametrave që garantojnë cilësinë e konsumimit.

Me anën e një vendimi të paprecedentë Gjykata ngarkoi shoqërinë civile në ‘mbikëqyrje’ të shoqërisë shtetërore Ujësjellës Kanalizime Tiranë, në lidhje me masat që do të ndërmarren në përmirësimin e cilësisë së ujit.

Në lidhje me këtë vendim ka reaguar dhe presidenti i vendit Ilir Meta, i cili ka përshëndetur aktivizimin e shoqërisë civile në mbrojtje të shëndetit të qytetarëve dhe thekson se papërgjegjshmëria dhe keqfunksionimi i Ndërmarrjes së Ujësjellësit Tiranë ka rrezikuar jetën e kryeqytetasve.

Postimi i Ilir Metës në facebook: Qytetarët e Tiranës meritojnë mbrojtje të garantuar të shëndetit përmes shërbimeve shtetërore, që mbahen dhe paguhen me taksat e tyre.

E përshëndes aktivizimin e shoqërisë civile në këtë rast për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve nga papërgjegjshmëria dhe keqfunksionimi i Ndërmarrjes së Ujësjellësit të Tiranës, në varësi të Bashkisë, që siç faktohet nga të dhënat e bëra publike, ka rrezikuar jetën e tyre duke i furnizuar me ujë të papërdorshëm sipas parametrave.

Tashmë, që pritet arsyetimi i vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë, çështja duhet të ndiqet edhe në instancat më të larta shtetërore, ndërkohë të dhënat e bëra publike, duhet të vënë në lëvizje Prokurorinë për të hetuar deri ku arrin shkalla e përgjegjësisë dhe e shkeljes së ligjit, për të nxjerrë para drejtësisë këdo, që ka vendosur në rrezik masiv shëndetin e banorëve të kryeqytetit.

Mbrojtja e shëndetit dhe e jetës së qytetarëve të Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë, veçanërisht në këtë periudhë pandemie, duhet të jetë prioritet absolut.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion