“U kërcënova me jetë nga Adriatiku”/ Endri Shabani: U duk sikur beteja u bë për karrierën dhe rrogën e Lapajt, por…

Në një intervistë për emisionin “Exclusive”, kreu i “Nisma Thurje”, Endri Shabani, ka hedhur akuza të forta ndaj Adriatik Lapajt dhe familjarëve të tij, pas shpërbërjes së koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet”, i cili në zgjedhjet e 11 majit siguroi një mandat deputeti.
Shabani deklaroi se ka marrë kërcënime serioze për jetën nga vetë Lapaj, babai i tij dhe kushërinj të tij, duke e quajtur këtë një kapërcim të vijës së kuqe në politikë. Ai nënvizoi se është e papranueshme që përplasjet për një mandat të shoqërohen me grupe të rrezikshme dhe presion kriminal.
“Nuk e kam pritur kurrë që në vitin 2025, nga politikanë të rinj, një mandat të zgjidhet me kërcënime dhe grupe kriminale. Kërcënimet ndaj meje dhe aktivistëve tanë ishin me jetë. Po përgatitet një dosje. Nuk dua që kjo të përfundojë në gjykatë, por sot nuk ka më koalicion”, u shpreh Shabani.
Ai akuzoi Lapajn se u tërhoq nga zotimet e bëra ndaj votuesve dhe aktivistëve, duke krijuar ndjenjën se i gjithë konflikti ishte për përfitime personale.
“U duk sikur beteja u bë për karrierën dhe rrogën e Adriatikut. Dhe kur je kryetar i një koalicioni, njerëzit presin që të kesh një standard më të lartë.”
Shabani shtoi gjithashtu se aktivistët e Nismës janë ndjerë të përjashtuar dhe të nënvlerësuar, ndërsa e cilësoi të gabuar faktin që deputeti i vetëm i koalicionit, Zeqiri, nuk u konsultua me të para marrjes së mandatit.
Konflikti mes Shabanit dhe Lapajt ka shënuar një nga prishjet më të bujshme të bashkëpunimeve politike mes figurave të reja publike në Shqipëri, duke ngritur pikëpyetje mbi stabilitetin dhe qëllimet e koalicioneve alternative në skenën politike shqiptare.


