U kapën me 1 kg kokainë/ Djali i Ad Sybardhit dhe nipi i Serjanit: E kishim për përdorim vetjak

Gjykata e Tiranës ka caktuar masat e sigurisë “Arrest me burg” për dy të rinjtë Klajdi Serjani dhe Euxhenjo Manushi, përkatësisht 24 dhe 20 vjeç,
Ata u arrestuan gjatë një operacioni të Anti-Drogës në Tiranë, mbrëmjen e 8 Dhjetorit, pasi u kapën me 1 kilogram e 50 gramë kokainë, me vlerë tregu rreth 270 mijë euro.
Gjatë seancës së sotme, Serjani dhe Manushi kanë pretenduar para togave të zeza se se lëndën narkotike e kishin për përdorim vetjak dhe jo për ta trafikuar. Ndonëse avokatët kërkuan masë të butë sigurie, kërkesa nuk u pranua nga gjykata, e cila i la të dy në qeli.
Klajdi Serjani është nipi i Pajtim Serjani, një prej personazheve të njohur të botës së krimit në kryeqytet, miku i Emiljano Shullazit, teksa në vitin 2015 i ka shpëtuar edhe një atentati me armë zjarri. Ndërsa, 20-vjeçari Euxhenjo Manushi është djali i muzikantit të njohur saksofonist Adriano Manushi, i njohur me emrin e artit si Ad Sybardhi.
Dy të arrestuarit ishin në ndjekje dhe në përgjim nga sektori i anti-drogës në Policinë e Tiranës prej 6 muajsh dhe mbrëmjen e 8 Dhjetorit janë ndaluar me mjetin luksoz në afërsi të Institutit në kryeqytet. Sapo kanë ndaluar, ata kanë dalë nga automjeti me çantën me drogë dhe aty ka ndërhyrë Anti-droga duke iu vendosur prangat.
Grupi i Serjani dhe Manushit operonte me shpërndarjen e drogërave të forta në zonën e ish-Parkut të Autobusëve në Tiranëm, si edhe në lokalet e natës në pika të ndryshme të kryeqytetit. Dyshohet se ata, e shisnin kokainën te grupet e të rinjve, por edhe te personazhe të njohur, por kjo mbetet për tu verifikuar nga ana e prokurorisë së Tiranës.
Burime bëjnë me dije se organi i akuzës disponon edhe dy celularët e Klajdi Serjanit dhe Euxhenjo Manushit, që do shërbejnë për zbardhjen e plotë te kësaj çështje.
Ka dyshime se në këtë grup që funksiononin si shpërndarës dhe furnizues të kokainës së pastër janë të përfshirë disa persona të tjerë dhe hetuesit po punojnë për të zbuluar skemën kriminale.


