Tensione dhe debate, maxhoranca miraton me 75 vota projektbuxhetin e 2025-ës

Maxhoranca miraton me 75 vota buxhetin pas 23 orësh debat me opozitën.
Ndërsa ministri i Financave, Petrit Malaj theksoi se projektbuxheti për vitin 2025 materializon plotësisht objektivat kryesore të politikës fiskale, përmes një balance primare pozitive, reduktimit të borxhit publik, duke targetuar për vitin 2025 një nivel të borxhit prej 55.8% të PBB dhe një raporti produktiv midis huamarrjes totale neto të buxhetit dhe shpenzimeve kapitale të qeverisë qendrore, duke realizuar një balancë korente pozitive prej 3.6% të PBB-së.
“Sipas skenarit tonë bazë të programimit makrofiskal për vitin 2025, parashikojmë një rritje ekonomike prej 3.9%”, deklaroi ministri Malaj.
DRAFTI I QEVERISE
Buxheti për vitin 2025 përmbush dy objektiva themelorë, rritje ekonomike të qëndrueshme, duke krijuar punësim, zhvillim dhe mirëqenie për të gjithë qytetarët shqiptarë, si dhe konsolidim fiskal, me qëllim final uljen e borxhit publik dhe ruajtjen e të gjitha parametrave makroekonomikë e fiskal në nivele pozitive.
Të ardhurat buxhetore për vitin 2025 parashikohen në masën 754.6 miliardë lekë ose 28.8% e PBB dhe krahasuar me planin e rishikuar për vitin 2024, me rreth 40.6 miliardë lekë më shumë.
Shpenzimet Buxhetore, në projektbuxhetin e vitit 2025 janë parashikuar në nivelin 822.7 miliardë lekë me një rritje në vlerë absolute prej 51.4 miliardë lekë, krahasuar me planin e rishikuar të vitit 2024.
Përmes këtij buxheti do të marrin mbështetje sektorët prioritarë, si: arsimi, shëndetësia, infrastruktura, shërbimet digjitale, bujqësia, si dhe do të financohet me prioritet Plani i Rritjes së Bashkimit Europian (BE) për Ballkanin Perëndimor, si një instrument i rëndësishëm për përshpejtimin e konvergjencës ekonomike e sociale të vendit tonë.


