Spiropali në Gjenevë: Shqipëria mbështet paqen globale përmes diplomacisë parlamentare

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, mori pjesë në Konferencën e Gjashtë të Kryetarëve të Parlamenteve në Gjenevë, organizuar nga Unioni Ndërparlamentar, ku theksoi se Shqipëria mbështet paqen, drejtësinë dhe rendin ndërkombëtar përmes diplomacisë parlamentare.
Në një fjalim të fokusuar në sfidat globale – nga konfliktet ushtarake te pabarazitë sociale dhe ndryshimet klimatike – Spiropali tha se bashkëpunimi ndërparlamentar është thelbësor në një botë me tensione të shtuara.
Ajo përmendi rolin e Shqipërisë si anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe Këshillit të të Drejtave të Njeriut, si dhe mbështetjen e palëkundur ndaj Ukrainës kundër agresionit rus.
“Pa parlamentarë të përkushtuar, multilateralizmi mbetet një teori. Me veprim të koordinuar, ai bëhet një mjet i fuqishëm për ndryshim,” u shpreh Spiropali, duke nënvizuar nevojën për solidaritet dhe veprim institucional për një rend ndërkombëtar më të drejtë dhe më të sigurt. Ajo kujtoi gjithashtu se Shqipëria është një ish-vend i izoluar që sot udhëheq përpjekjet për integrimin në BE dhe ka pozicion lider në rajon.


