I mori 10 mijë euro qytetarit duke e mashtruar, arrestohet 33-vjeçari në Tiranë

Një 33-vjeçar ka rënë në prangat e Policisë së Tiranës, pasi akuzohet për mashtrim financiar ndaj një qytetari, duke i përvetësuar 10 000 euro.
Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Fraud”, pas kallëzimit të bërë nga shtetasi G. D. për një rast mashtrimi nëpërmjet pagesave të rreme.
Nga hetimet rezulton se i arrestuari, shtetasi E. D., në periudha të ndryshme kohore, i ka marrë viktimës shumën prej 10 000 eurosh, me pretendimin se do të shlyente detyrimet tatimore të aktivitetit të tij tregtar – gjë që nuk ndodhi kurrë.
Ndaj 33-vjeçarit rëndon akuza për “Mashtrim”, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.


