Çmimi i naftës, Berisha sulmon qeverinë: “Miliarderëve u shitet me 50 lekë, fermerëve me 230 lekë

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët në rrjetet sociale, ka denoncuar çmimin e lartë të naftës në Shqipëri.
Berisha u shpreh se nafta në vendin tonë shitet më shtrenjtë për shkak të taksimit të lartë, duke e krahasuar me vendet fqinje si Maqedonia e Veriut dhe Kosova.
Sipas tij në Shqipëri fermerët përballen me çmime të larta, ndërsa qeveria favorizon miliarderët, që siç tha ai, mbushin jahtet me naftë me një çmim prej 50 lekë litrin.
“Sot nafta shitet më shtrenjtë, e gjitha kjo sepse tatohet dy herë më shumë se në Maqedoni, se në Kosovë dhe se në shumicën e vendeve të tjera në botë. Nëse vendet e tjera për naftën kompensojnë të paktën nga 50-100% të saj për bujqësinë, në Shqipëri naftën me 500 lekë të vjetra litrin vetëm miliarderët. Dhe nuk ka injorim, cinizëm më të rëndë se ky.
Fermerëve ua shet me 2300 lekë, miliarderëve që vijnë të mbushin jahtet e tyre në Durrës me nga 1 milionë litra, ua shet naftën me 500 lekë, sepse sulltani i Surrelit është pushtuar nga një pasion i çmendur për luksin.
Ka fiksim pas luksit dhe elitës së luksit, paçka se qytetarët i ka më të varfrit në Europë. Ua shet më shtrenjtë naftën, taksën e kanë më të lartë. Ai nuk thotë një fjalë të vetme”, tha Barisha.


