Këshilli Bashkiak i Rrogozhinës i thotë “jo” bashkimit me Kavajën: Interesi i qytetarëve mbi politikën

Këshilli Bashkiak i Rrogozhinës ka dalë kundër planit për bashkimin e kësaj bashkie me Kavajën në kuadër të reformës së re territoriale. Në një votim unanim, anëtarët e këshillit miratuan projektvendimin që kundërshton shkrirjen, duke lënë mënjanë ndarjet politike.
Kryetarja e Këshillit Bashkiak, Desi Gixhari, deklaroi se çdo vendimmarrje që prek mijëra qytetarë duhet të kalojë përmes një procesi transparent dhe konsultimi.
“Pavarësisht bindjeve politike që kemi, na bashkon mbrojtja e interesit të qytetarëve të bashkisë Rrogozhinë.
Kur bëhet fjalë për të ardhmen e Rrogozhinës, interesi ynë qëndron mbi çdo bindje politike”, u shpreh Gixhari.
Vendimi i Rrogozhinës vjen në një kohë kur disa bashki dhe komunitete kanë nisur kundërshtimet ndaj propozimeve për riorganizimin territorial, duke kërkuar që zëri i qytetarëve të merret në konsideratë.


