“Rama po riprodhon të atin e tij xhelat”, Berisha kundër prishjes së kabinave në Theth: S’bëhet kjo në mes të sezonit turistik

Ish-kryeministri Sali Berisha ka komentuar situatën në veri të vendit, ku këtë të mërkurë banorët e Thethit janë përplasur me policinë dhe inspektorët e IKMT-së të cilët kishin “zbarkuar” për t’u prishur atyre shtëpizat e drurit.
Në një deklaratë për mediat, Berisha e ka cilësuar këtë aksion policor si të jashtëligjshëm, pasi sipas kreut të demokratëve ligji i cili është firmosur nga vetë kryeministri Edi Rama nuk i konsideron kabinat e drurit si ndërtime pa leje.
Ish-kryeministri shtoi se ky akt i tillë, i cili ka ardhur në mes të sezonit turistik, nuk ndodh në asnjë vend të botës. Berisha thotë se banorët duhet që të kishin deklaruar kabinat e tyre, por që shteti duhet t’u kishte dhënë hapësirë.
“Çdo pëllëmbë tokë e atyre fshatarëve është e trashëguar brez pas brezi. Në rast se ata në moszbatim të ligjeve në tokë të tyre kanë vendosur kabina sigurisht ata kanë bërë një shkelje, por jo të ligjit për urbanistikën sepse ligji për urbanistikën ndërtimet pa themel nuk i konsideron ndërtime pa leje. Ndërtime pa themele nuk i konsideron ndërtime pa leje, i konsideron ndërtime me deklarim.
Por, cilido që të ishte situata e tyre në kulmin e sezonit turistik kanë ardhur të tjerët nga Australi kanë prenotuar nga Gjermania nga Izraeli nga Egjipti nga Franca nga Italia, kanë prenotuar pushimet dhe ky del dhe u dërgon aty bandat me uniformë për t’ia u çmontuar kabinat apo çfarë janë ato dhe për të zhvilluar një betejë ku banorë dhe turistë janë bërë së bashku.
Kjo është një çfryrje urrejtje e një njeriu që përfaqëson një trupë urrejtje njerëzore. Por nëqoftëse aty janë bërë shkelje, ta zëmë ,atëhere çdo shtet çon njoftimin e konstatimit dhe nuk ka shtet në botë që ndërhyn në mes të sezonit”, tha Berisha ndër të tjera, duke theksuar më tej se ky aksion i ardhur me urdhër të Edi Ramës është bërë me qëllimin e vetëm për të hequr vëmendjen nga zgjedhjet e 11 Majit të cilat sipas kreut të demokratëve po faktohen çdo ditë që ishin të vjedhura.
Pjesë nga fjala e Sali Berishës:
Ata kanë kontrata, prenotime, njoftime. Prit të bjerë sezoni dhe vepro. Kjo është një hakmarrje atërore, ky është i tëri një shprit kërmë që riprodhon të atin e tij xhelat dhe dajën e tij xhelat për kundërshtarin. A mundet një njeri të dërgojë hordhi, falanga, në Theth dhe t’ja hedhë tjetrit nga oborri i shtëpisë së vet kabinën, kur e ka plot me turistë dhe ka të tjerë të prenotuar.
Këtë i bën edhe njëherë një shpirt kërmë që ka shpirtin e të atit xhelat Kristaq Rama i cili firmoste varrjen e kundërshtarit. Ai mund të bëjë një akt të tillë ndaj tyre. Vetëm ai mund ta bëjë. Ai ka një hall të madh sepse është kapur në qark për vjedhjen e zgjedhjeve, për farsën elektorale, për shkatërrimin e procesit dhe tani bën çdo gjë që vëmendja e shqiptarëve të shpërqendrohet nga farsa, por këto janë krime shtetërore, këto që ndodhin. Mos harroni se ai komunitet, ai turizmin ka, nuk ka asnjë të ardhur tjetër, po të shkoni atje do të gjeni disa parcela toke minimaliste, dhe ju njoftoj dhe ju infromoj se në dallim nga të gjitha zonat e tjera turistike të vendit Thethi dhe Valboma 90% të turistëve i kanë të huaj.
Shkojnë tani kanë dalë të huajt bashkë me fshatarët duke protestuar kundër qeverisë që s’ka as ligj dhe as moral dhe që sillet si një pushtues i egër ndaj banorëve të veriut. Mundet kjo? Kontejner në livadhin para derës së shtëpisë, dakord që duhet të kishin bërë deklaratën, por nuk janë ndërtime pa leje. Ndërtime pa leje sipas vendimit të firmosur nga Rama janë ndërtimet me themel e të tjera e të tjera ato janë ndërtime të vendosura mbi pllaka çimentosh ose mbi trarë druri. Qëllimi i tij është hakmarrja elektorale dhe të mbulojë.


