“Rama mashtron me BE-në”, Berisha: Kallas nuk mbështeti asnjë nga afatet që deklaroi kryeministri

Politikë

“Rama mashtron me BE-në”, Berisha: Kallas nuk mbështeti

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha i cilësoi mashtrime premtimet e kryeministrit Edi Rama se brenda dy viteve përfundon negociatat me Bashkimin Evropian. Gjatë një konference me gazetarët, Berisha komentoi daljen për mediat të kryeministrit Rama së bashku me zv.presidenten e Komisionit Evropian, duke theksuar se përfaqësuesja e lartë e politikës së jashtme të BE, Kallas nuk bëri asnjë premtim për datën kur Shqipëria do të bëhet anëtare e BE.

“Zonja Kallas tha se Shqipëria ka ambicie. Ambicie, që është mashtrimi i Edi Ramës. Por kjo është një rrugë e vështirë që kërkon reforma. Ajo nuk investoi asnjë nanogram në zotimet e Edi Ramës. I tha edhe tjetrën, që është rrugë gjithëpërfshirëse. Kurse, Edi Rama u përpoq të asociojë mashtrimin e tij me praninë e përfaqësueses së lartë të politikës së jashtme të BE, zonjës Kallas. Por ajo mbajti vendin e vet dhe qëndrimin e vet. Me një fjalë, ajo u tha shqiptarëve, unë nuk kam punë me ato që thotë ky, këto janë ambiciet e tij”, tha Berisha.

Berisha përsëriti qëndrimin e tij se kryeministri Edi Rama dhe PS nuk mund ta bëjnë Shqipërinë anëtare të BE.

“Tani, të mendosh ti se Shqipëria do integrohet si narkoshtet në BE, Shqipëria do integrohet me Bajrët, Çelët dhe Ponjat, ministra e mbiministra, se këta janë më të ligj, është njëlloj si të imagjinosh se do shohësh veshin tënd pa pasqyrë”, tha Berisha.

Berisha premtoi se integrimi do të jetë synimi kryesor i PD nëse fiton zgjedhjet.

“Unë me këtë rast e garantoj përfaqësuesen e lartë të BE se kjo forcë politikë, që ka qenë e faktuar lokomotivë e të gjitha proceseve integruese në BE dhe NATO, qëndron e përqendruar, e gatshme, e vendosur që rrugën drejt BE ta ndërtojë mbi bazën e meritave, reformave, dinjitetit të vendit, të presë me gërshërët e ligjit dhe zero tolerancë lidhjet e krimit me politikën”, shtoi kreu i PD.

Kryetari i PD Sali Berisha takoi sot shefin e misionit te ODIHR Lamberto Zannieri të cilit i përcolli shqetesimet e opozitës për procesin e përgatitjes së zgjedhjeve të 11 majit.

ME TE LEXUARAT