Rama: Do kontrollojmë kantieret me kamera dhe AI, monitorim i territorit me dronë e satelitë

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se do të ndërmerren masa të reja për monitorimin e kantierëve të ndërtimit në Shqipëri, duke përdorur teknologji të avancuar dhe inteligjencë artificiale. Nga Qendra për Inovacion dhe Teknologji “NEST”, ku ndoqi një prezantim nga një grup të rinjsh shqiptarë, Rama tha se vendi duhet të përgatitet për standardet evropiane që e presin pas integrimit në BE.
“Kantieret do të kenë kamera dhe do të monitorohen 24 orë. Përmes AI mund të ndiqet korrektësia e punës nga distanca, jo vetëm për perimetrin por edhe për përputhshmërinë me projektin,” u shpreh Rama.
Ai theksoi se është drejt përfundimit edhe një qendër e posaçme për monitorimin e territorit me dronë dhe satelitë, që do të ndihmojë në ndjekjen në kohë reale të çdo ndryshimi në hapësirën ndërtimore.
Sipas tij, do të vendoset si detyrim që të gjitha kompanitë me mbi 100 punonjës të kenë një departament informacioni të specializuar në teknologji dhe digjitalizim. Ky hap synon të forcojë transparencën, sigurinë dhe efikasitetin në sektorin e ndërtimit, si edhe përgatitjen për sfidat që sjell tregu i BE-së.
“Do jetë shumë e vështirë për kompanitë tona t’i mbijetojnë tregut europian nëse nuk përgatiten që tani,” paralajmëroi Kryeministri.


