Peleshi vizitë zyrtare në Britani, pritet nga Sekretari i Mbrojtjes Ben Wallace
Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi po zhvillon një vizitë zyrtare në Britaninë e Madhe. Ministri Peleshi u prit në një takim nga Sekretari Shtetit për Mbrojtjen Ben Wallace.
Peleshi shprehu mirënjohjen për mbështetjen që Ministria e Mbrojtjes së Britanisë ka dhënë për Forcat e Armatosura shqiptare. Nga ana e tij, Sekretari Wallace shprehu gatishmërinë për intensifikimin e këtij bashkëpunimi në kuadër të Aleancës, por dhe në kuadër të bashkëpunimit dypalësh dhe rajonal.
Po ashtu Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi u prit nga Ministrja e Shtetit Baronesha Goldie Dl. Të dy ministrat nënshkruan Deklaratën e Përbashkët mbi Rritjen e Bashkëpunimit dypalësh në fushën e mbrojtjes, dokument i cili synon përforcimin e bashkëpunimit aktual, identifikimin e fushave të reja të bashkëpunimit për të përballuar sfidat si dhe për t’iu përshtatur risive të reja që sjell koha dhe mjedisi gjithnjë e më shumë konkurrues dhe kompleks.
Merr lajme ekskluzive në Whatsapp
Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.
Si dy vende anëtare të NATO-s, ministrat rikonfirmuan vendosmërinë e tyre për të vijuar kontributin në sigurinë ndërkombëtare, duke përfshirë mbështetjen e vazhdueshme për Ukrainën, si dhe rritjen e angazhimit për sigurinë e Ballkanit Perëndimor dhe krahut jugor të NATO-s.
Një tjetër takim, ministrit Peleshi iu rezervua nga kreu dhe disa anëtarë të grupit parlamentar shumëpartiak për Shqipërinë, ku diskutuan mbi zhvillimet e fundit në rajonin e Ballkanit Perëndimorë. Gjatë këtij takimi Peleshi theksoi se politika e jashtme e Shqipërisë është gjithmonë e më shumë e orientuar drejt fqinjësisë së mirë, sigurisë dhe stabilitetit të Ballkanit Perëndimor.
Ministri u prit në një takim të veçantë nga Dërguari i Posaçëm i Kryeministrit britanik për Ballkanin Perëndimorë Sir Stuart Peach, një mik i hershëm i Forcave të Armatosura të Shqipërisë.
Gjatë këtij takimi u diskuan çështje me interes për zhvillimin, sigurinë, stabilitetin e Ballkanit Perëndimor, rolin e Shqipërisë në rajon, ku një vëmendje të veçantë iu kushtua çështjes së Kosovës.