"Nuk po sulmoj SPAK-un"/ Rama: Kam heshtur 5 vjet, derisa i dhashë pavarësinë Drejtësisë!

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish lidhur me deklaratat kundër SPAK-ut, duke sqaruar se ajo çfarë ka kërkuar është një drejtësi me standardet demokratike.
Rama shprehet se mazhoranca me reformën në drejtësi i dha institucioneve pavarësinë që nuk e ka pasur nga pushteti politik.
"Unë mendoj që të kërkosh standardet demokratike në një proces të drejtësisë, aq më tepër për të zgjedhurit nga populli në krye të Bashkisë së kryeqytetit, që merret nga zyra e çohet në burg pa u shpallur akoma i pandehur e lëre më fajtor, nuk është aspak sulm ndaj drejtësisë; të kërkosh që drejtësia e re të kuptojë se qëllimi i lartë nuk i justifikon në asnjë mënyrë mjetet e ulëta, nuk është sulm ndaj drejtësisë.
Ne heshtëm, heshtëm totalisht 5 vjet rresht, 5 vjet e më shumë madje, jo se nuk pamë probleme, jo se nuk u skandalizuam në ndonjë rast apo s’e nuk e patëm ndjeshmërinë ndaj një trysnie që ka shkuar hera-herës deri në absurd mbi punonjësit e administratës, por ne heshtëm strategjikisht, heshtëm për të garantuar një atmosferë, ku pavarësia e institucioneve të reja të drejtësisë të mund të konsolidohej, në një vend ku drejtësia s’ka pasur kurrë, kurrë, pavarësi dhe ku norma ka qenë intimidimi dhe marrja në kontroll e saj nga pushteti politik”, shprehet Rama.


