Berisha: Mbi 1 milion shqiptarë emigruan në 10 vite për shkak të varfërisë

Kryetari i PD, Sali Berisha, akuzon qeverisjen socialiste të Edi Ramës për shpërbërjen e familjes shqiptare gjatë 10 viteve të fundit. Gjatë prezantimit të programit të PD për periudhën 2025-2029, në sektorin e Mbrojtjes dhe Familjes, si dhe Politikat kundër Shpopullimit, Berisha theksoi se ka ndodhur një "gjenocid i vërtetë" ndaj popullsisë shqiptare gjatë këtyre viteve.
“Kanë braktisur Shqipërinë për kushte të llogaritur vetëm në hapësirën e Bashkimit Europiane 1 milionë e 99 mijë shqiptarë. Të marrë edhe në të gjitha vendet e tjera, këta shkojnë të paktën minimumi në 1 milionë e 400 mijë banorë. Kurrë një komb nuk ka patur një zbrazje të tillë të llahtarshme.
Dhe e tëra kjo ka patur një faktor themelor, varfërinë, varfërinë dhe mbi të gjitha varfërinë”, tha Berisha. Sipas tij, nga kjo shifër, 1 milionë mbi 700 mijë janë të rinj dhe fëmijë që janë larguar.
“Asnjë komb tjetër, në asnjë luftë, në asnjë fatkeqësi natyrore nuk ka humbur materien e tij në mënyrë kaq të rrufeshme, kaq të thellë sa kombi ynë. Ky është njëri aspekt i dramës demografike shqiptare”, u shpreh kreu demokrat Sali Berisha.


