Një ditë pasi mori vulën dhe logon e PD, Sali Berisha bën hapin e radhës nga arresti i shtëpisë
Nje dite pasi mori vendimin e gjykates qe i dha atij vulen dhe logon e PD-se, Sali Berisha u ka bere thirrje deputeteve te larguar qe kane dale ne mbeshtetje te Lulzim Bashes, qe te kthehen ne grupin demokrat pasi aty e kane vendin.
Berisha tha se PD eshte e hapur per ta. Fjalen ai e mbajti nga dritarja e baneses ku ndodhet ne arrest shtepie ne mitingun e radhes me mbeshtetesit e mbledhur ne rrugicen ku jeton ish kryeministri.
FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË TUBIMIN QYTETAR
Merr lajme ekskluzive në Whatsapp
Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë fjalës së tij në tubimin qytetar, është ndalur sërish te vendimi i djeshëm i Gjykatës së Apelit i cili riktheu vulën dhe simbolet në selinë blu, aty ku është shumica e demokratëve. ‘Mesazhi i arritjes së djeshme është një dhe vetëm një: Është bashkimi, bashkimi dhe vetëm bashkimi!’, u shpreh Berisha në protestën që zhvillohet në mbështetje të tij në ‘Rrugën e Shpresës’.
Lideri i opozitës, Sali Berisha i ka bërë një tjetër thirrje deputetëve të PD-së që ende nuk janë afruar në grupin parlamentar. ‘Deputetëve të PD që akoma nuk janë në grupin tonë, thirrja më miqësore, vendi juaj është tek elektorati i PD. Jeni të mirëpritur!’, u shpreh Berisha në tubimin qytetar që zhvillohet në ‘Rrugën e Shpresës’.
Kryedemokrati Sali Berisha i ka bërë një tjetër thirrje partive politike opozitare që të bashkohen rreth Partisë Demokratike. ‘U bëj thirrje të gjitha partive politike opozitare të bashkohemi se Shqipëria po tretet’, theksoi Berisha në protestën maratonë që zhvillohet në ‘Rrugën e Shpresës’.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha është ndalur edhe te propaganda që bëjnë analistët e paguar nga pushteti se lideri i opozitës është njëlloj me Edi Ramën. ‘E vërteta është se ne nuk jemi kurrë njëlloj.Cilido që krahason Sali Berishën me Edi Ramën, krahason të pakrahasueshmit’, u shpreh Berisha në fjalën e tij gjatë tubimit qytetar në ‘Rrugën e Shpresës’.
Lideri i opozitës Sali Berisha nuk ka ndalur së bëri thirrje kryetarëve të partive opozitare se për të qënë të tillë duhet të jenë të bashkuar dhe të jenë në betejë. ‘Në qoftë se duam të rrëzojmë Edi Ramën, urdhëroni të bashkohemi! Përndryshe në një mënyrë ose në tjetër, ai ndihmohet’, theksoi Berisha në protestën maratonë në ‘Rrugën e Shpresës’.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u ndal edhe te protesta e opozitës që do të zhvillohet ditën e premte para Bashkisë Tiranë, ku kërkohet dorëheqja e kryebashkiakut Erion Veliaj, pas publikimit të skandalit me dosjen 5D dhe inceneratorin fantazëm.
Lideri i opozitës, Sali Berisha ka paralajmëruar kryeministrin Edi Rama se nuk do të shpëtojë nga interpelanca e thirrur prej kryedemokratit në lidhje me fondet miliona euro të përfituara nga familjarët e kryeministrit. ‘Asgjë nuk të shpëton nga interpelanca! Vish në daç fustanin e Lindës, por do të të zhvesh lakuriq në parlament’, u shpreh Berisha.
Kryetari i PD-së, Sali Berisha ka denoncuar ftesën e Edi Ramës për Fredi Belerin që të kandidonte për të në zgjedhjet në Shqipëri dhe refuzimin e këtij të fundit.
FJALA E PLOTE:
Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta ju qëndrestare dhe qëndrestarëve, misionarëve të vërtetë të një kauze të madhe.
Ju mblidheni sot pasi keni korrur një fitore të vërtetë.
Fitore të vërtetë për veten tuaj, për demokratet dhe demokratët, por fitore të vërtetë për të gjithë shqiptarët, që e ndjejnë veten shqiptarë dhe Shqipërinë e dheun e tyre.
Dje triumfoi e drejta mbi padrejtësinë.
Triumfoi pluralizmi politik mbi pluralizmin fals dhe fasadë.
Dje një vendim i gjykatës nxori në pah para shqiptarëve dhe botës se si Edi Rama kishte keqpërdorur në shkallë ekstreme drejtësi e politikë për të marrë peng flamurin e PD, flamurin e pluralizmit politik të Shqipërisë, të arritjeve të saj epokale në rrugën e demokracisë.
Por dje theksova dhe sot në emër tuaj dua të ritheksoj edhe njëherë se mesazhi i kësaj arritje është një dhe vetëm një.
Është bashkimi, bashkimi dhe vetëm bashkimi.
Miqtë e mi!
Është bashkimi dhe vetëm bashkimi sepse betejën vendimtare, fitoren vendimtare e kemi përpara për ta arritur.
Dhe kjo kërkon kontributin e çdo demokrati dhe demokrateje.
Ndaj dhe edhe njëherë u bëj thirrje të gjithë demokrateve dhe demokratëve që ndjejnë shpirtin e tyre të pastër, të cilët për një arsye apo për një tjetër, kanë mbajtur qëndrime të tjera, të bashkohen. Të bashkohen me ne! Të kthehen në shtëpinë e tyre.
Bashkimi në diversitet është tipari që fitoi Partia Demokratike pas rithemelimit.
Bashkimi në diversitet është shpirti demokratik i kësaj partie dhe anëtarëve dhe simpatizantëve të saj.
Bashkimi në diversitet është dimensioni i ri më i fuqishëm i PD-së, i partisë së pluralitetit të mendimit, i partisë së pluralizmit politik në Shqipëri.
Ndaj dhe bashkohuni, jeni të mirëpritur me dinjitet të plotë, me vendimet tuaja.
Asgjë nuk mund të ndajë demokratë e betuar për të qenë opozitë e vërtetë.
Deputetëve të PD që akoma nuk janë në grupin tonë, thirrja më miqësore, vendi juaj është tek elektorati i PD.
Mos harroni kurrë se me këtë logo, me këtë flamur keni bërë të gjithë fushatën.
Se dhjetëra mijëra zgjedhës u votuan ju me këtë flamur, ndaj dhe jeni të mirëpritur.
Jeni të mirëpritur në gjirin e grupit parlamentar të PD.
Beteja e madhe është përpara.
Të harrojmë dhe arkivojmë njëherë e mirë betejën njëri me tjetrin.
T’i përvishemi Edi Ramës në emër të atyre qindra e mijëra shqiptarëve që vuajnë nën regjimin e tij.
Përgëzoj të gjithë ata demokrate e demokratë, të cilët që sot kanë marrë dhe po marrin vendimet e duhura.
I garantoj se beteja dhe fitorja do të jetë fati ynë!
Miqtë e mi!
Në emër tuaj u bëj thirrje të gjitha partive politike opozitare, parlamentare, joparlamentare, tradicionale apo të sapokrijuara, të bashkohemi se Shqipëria po tretet.
Se duhet të na bashkojë dashuria për Shqipërinë.
Unë e kuptoj se shumë nga ju kanë idera dhe mendime të tjera nga PD, pro asnjëra prej jush nuk mund të pajtohet kurrë me këtë shpopullim barbar.
Me këtë zhbirje që po u bën Edi Rama me regjimin e tij shqiptarëve.
Unë e kuptoj se ne kemi platforma të ndryshme, por asnjëri prej jush nuk mund të pajtohet me këtë vjedhje të tmerrshme që po u bën Edi Rama shqiptarëve me regjimin e tij.
Unë kam respekt për ju, kam respekt të madh për pluralizmin.
Koalicionet e gjera kanë qenë pasioni im.
Por nga ana tjetër duhet t’u ftoj ju, politikanë me eksperiencë apo politikanë që keni nisur karrierën vitet e fundit, në çdo lloj analize, një gjë është e qartë, se roli i PD për fitoren është vendimtar.
Dhe nuk e them këtë për presion, jo. E them këtë që të bëjmë analizën realiste.
Kurse për ndonjërin që arrin si automat të përsërisë se këta janë njëlloj, e madje demokratët edhe më keq, i them se e lexon historinë kokëposhtë.
E vërteta është se ne nuk jemi kurrë njëlloj.
Kurrë nuk jemi njëlloj.
Dhe cilido që krahason PD-në me PS-në, krahason të pakrahasueshmen.
Cilido që krahason Sali Berishën me Edi Ramën, krahason të pakrahasueshmit.
Cilido që krahason qeverisjen e PD me qeverisjen më hajdute në historinë e kombit, ndihmon Edi Ramën.
Ndihmon Edi Ramën, mbron Edi Ramën.
Më thoni ju mua si mund të krahasohen, më tregoni një rast të vetëm që drejtorët dhe ministrat fituan tendera gjatë qeverisjes së Sali Berishës.
Ja ku e keni Edi Ramën në saraje me gjatësi themelesh 720 metra.
Ja ku është Sali Berisha, në një apartament 130 metra, 37 metra më të madh se atë që kishte në diktaturë.
Cilido që krahason dy qeverisjet, mashtron veten, të tjerët dhe ndihmon Edi Ramën.
Sepse në atë qeverisje, rrogat u dyfishuan, pensionet u dyfishuan.
U ndërtuan 11 mijë kilometra rrugë.
Miqtë e mi!
Do t’u them një gjë mjaft interesante. Po lexoja këto ditë se si në 10 vite të qeverisë shqiptare 90 vite më parë, ishin ndërtuar 830 kilometra rrugë.
Më gjeni pak sa janë ndërtuar në qeverinë e Edi Ramës? Sa kilometra? Janë ndërtuar 100 mijë kilometra mashtrim. Mashtrimet e tij qarkojnë globin.
Ndaj dhe të nderuar kryetarë të partive opozitare, për të qenë të tillë sot, duhet të jemi të bashkuar, duhet të jemi në betejë.
Në qoftë se duam të rrëzojmë Edi Ramën, urdhëroni!
Përndryshe në një mënyrë ose në tjetër, ai ndihmohet.
Unë u dëgjoj me respekt tek flisni për zgjedhjet.
Tek shpallni me të drejtë ambiciet elektorale.
Por në qoftë se ju besoni se mund të numërohen votat, mashtroni veten dhe zgjedhësit.
Hajde të rrëzojmë Edi Ramën, të bëjmë zgjedhje të lira.
Beteja vendimtare është përpara.
Ndaj dhe përsëri ftesa ime është të bashkohemi. Të bashkohemi për të shpëtuar Shqipërinë nga kjo e keqe e madhe, e cila me shpopullimin që i bën, nuk është regjistruar kurrë në histori.
Të dashur miq!
E premtja është një ditë shumë e veçantë, është dita e betejës kundër hajdutit më të shpërfytyruar të kryeqytetit të Shqipërisë, Erion Velisë.
Miqtë e mi!
Çdo orë që ai qëndron në atë ndërtesë, është fyerje e tmerrshme për kryeqytetin.
Është poshtërim për shqiptarët.
Çdo aluzion tek mercenarë si Dumani është vetëmashtrim, vetëmashtrim, vetëmashtrim.
A e dini se çfarë thotë tani, çfarë përhap poshtë e përpjetë Erion Veliaj? Ua them unë.
Ai thotë se vërtet vëllai im është gjetur me para, pareli i madh. por me ato para, thotë ai, ka paguar ekspozitat e zhgarravinave të Edi Ramës.
Me ato para, thotë Erion Veliaj, ka paguar shkollimin e fëmijëve të Belinda Ballukut.
Shikoni pra çfarë pengmarrësi, po më prekët mua, keni prekur Ramën. Po më prekët mua, keni prekur Ballukun.
A janë të vërteta këto? Ai që i thotë, ku ka tym, nuk është pa zjarr.
Por problemi është se askush nuk e pret nga Dumani zgjidhjen. Çdo shqiptar e pret nga qytetarët e Tiranës.
Edi Rama, sot unë të thirra në interpelancë.
Por sot, ti veshe fustanin e Lindës së parlamentit o frikacak, o burracak dhe hodhe poshtë, nuk pranove, refuzove i tmerruar interpelancën time.
Miqtë e mi!
Unë bëra detyrën si deputet në respekt, por parlamenti im jeni ju, është kjo platformë.
Dhe unë u garantoj ju, ju garantoj ju se asgjë nuk e shpëton Edi Ramën nga interpelancën.
Se ai duhet të japë llogari qindarkë për qindarkë për akuzën e OSBE 200 milionë euro të fshehura në kontot offshore.
Se ai duhet të japë llogari qindarkë për qindarkë për pallatin pesëkatësh në oborrin e pallateve pa asnjë faturë tatimore, doganore, bankare. Sigurisht zbriti nga qielli në oborr.
Se ai duhet të japë llogari për 136 milionë euro të zhdukura në djegësin e Tiranës.
Se ai duhet të japë llogari për qindra tendera sekretë të fituar nga baxhanaku me ortakun e tij, në të cilat në tërësi është aplikuar modeli i vjedhjes njëlloj si në bashki.
Se ai duhet të japë llogari për 37 mijë metër katrorë që i ka dhënë vëllait të vet Olsi Rama me firmën e tij.
Se ai duhet të japë llogari për 142 udhëtimet me avion taksi, për transportin siç thuhet të qindra bauleve diplomatike me drogë ose narkoeuro.
Ai ka shumë gjëra për të dhënë llogari.
Vargu i tyre nuk mbaron.
Edi Rama, nuk ke shpëtim. Vish në daç fustanin e Lindës, çfarë të duash, do të zhvesh lakuriq në parlament, siç je përpara popullit. Cullak do të nxjerr.
Se atë që u ke bërë ti shqiptarëve, nuk ua ka bërë asnjë armik ndonjëherë.
Së fundmi miqtë e mi dua t’u informoj edhe për një fakt që doli këto ditë.
Ky hajdut që nuk ka as flamur dhe as atdhe, dhe që përdorte dhunimin e lirive dhe të drejtave themelore të njeriu, përdorte shkelmimin e Kushtetutës për interesa mafioze në Himarë, ta dinë shqiptarët se Fredi Beleri refuzoi në Shqipëri dhe në Athinë të kandidojë për Edi Ramën.
Se je hajdut, i tha.
Fredi Beleri nuk pranoi sepse e kuptoi që Edi Rama e dinte, nuk kishte qëllim tjetër veçse të grabiste tokat e Himarës me duart e Fredi Belerit.
Por Beleri nuk mund t’i bënte pis duart e tij për mafien e Edi Ramës.
Tani u them unë ju që dolët nëpër studio me muaj të tërë. Dilni dhe kërkojini falje shqiptarëve, dilni kërkojini falje Belerit.
Sepse mbrojtet një brigand që nuk ka asnjë normë, asnjë moral, asnjë parim.
Dhe pasi Beleri refuzoi të bëhej kandidat i një hajduti, shkeli çdo ligj, çdo Kushtetutë, çdo parim, çdo standard.
Kjo është e vërteta.
Ky është përçudnimi i njeriut që duhet Edi Rama.
Edhe njëherë u ftoj ditën e premte në ora 11:00, në betejë për fitore, në mosbindje civile.
Zemërimi, zemërimi, zemërimi është arma jonë.
Mosbindja civile!
Rrofshi ju, rroftë Shqipëria.
Fitore, fitore, fitore!