Ministri Hoxha takim në Delfi me komisioneren Marta Kos: Punë intensive për anëtarësimin e Shqipërisë në BE

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka zhvilluar një takim me komisioneren për zgjerimin në BE, Marta Kos, në kuadër të Delphi Economic Forum në Greqi.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Hoxha theksoi se procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian vijon pa ndërprerje, duke nënvizuar se ai “nuk njeh pauzë dhe nuk pranon pushim”.
Sipas tij, dinamika e zhvillimeve kërkon angazhim të vazhdueshëm si nga institucionet shqiptare, ashtu edhe nga partnerët ndërkombëtarë që mbështesin integrimin e vendit.
Gjatë takimit me komisioneren Kos, u diskutuan dhe u koordinuan një sërë çështjesh që lidhen me ecurinë e procesit të anëtarësimit, me fokus avancimin e qëndrueshëm të negociatave.
Hoxha e cilësoi këtë proces si një prioritet madhor për Shqipërinë, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë me institucionet e Bashkimit Evropian.


