Arrestohet autori i dyshuar i masakrës me 288 civilë të vrarë, një nga krimet më të rënda të regjimit të Assadit

Autoritetet siriane kanë njoftuar arrestimin e të dyshuarit kryesor për masakrën e Tandamonit në vitin 2013, një nga krimet më të rënda të luftës civile në Siri, ku u vranë 288 civilë.
Sipas Ministrisë së Brendshme, në pranga ka rënë Amjad Yousef, ish-anëtar i shërbimeve të inteligjencës ushtarake të regjimit të Bashar al-Assad. Arrestimi u krye në zonën e Rrafshit Al-Ghab, në provincën Hama, ku ai ishte fshehur që pas rrëzimit të regjimit në fund të vitit 2024.
Ministria publikoi edhe pamje nga momenti i arrestimit, ndërsa burime të sigurisë konfirmuan se Yousef kishte qëndruar në arrati për muaj me radhë.
Rasti i tij u bë i njohur ndërkombëtarisht në vitin 2022, kur gazeta britanike “The Guardian” publikoi video tronditëse që, sipas hetuesve, e tregonin duke ekzekutuar civilë me sy të lidhur në lagjen Tandamon në Damask. Pamjet u siguruan pas një hetimi disa vjeçar nga studiues, të cilët arritën të fitonin besimin e tij dhe të dokumentonin krimin.
I dërguari special i SHBA-së për Sirinë, Tom Barak, e cilësoi arrestimin si një hap të rëndësishëm drejt vendosjes së drejtësisë për krimet e kryera gjatë konfliktit.
Masakra e Tandamonit konsiderohet një nga aktet më brutale të dhunës gjatë luftës civile siriane, e cila nisi në vitin 2011 dhe zgjati më shumë se një dekadë. Pas rënies së regjimit, zona është vizituar nga organizata ndërkombëtare dhe familjarë të viktimave, të cilët kërkojnë drejtësi për të afërmit e tyre.
Banorët vendas e njohin vendin e krimit si “Gropa e Amjad Yousef”, ndërsa arrestimi i tij ka sjellë reagime emocionale, me familjarët e viktimave që e shohin këtë si një moment shprese për drejtësi, edhe pse rruga drejt saj mbetet ende e gjatë.


