“Po mbrojmë Evropën”/ Zelensky: Ukraina kërkon anëtarësim të plotë në BE, jo status simbolik

Bota

“Po mbrojmë Evropën”/ Zelensky: Ukraina kërkon

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka deklaruar se Ukraina nuk ka nevojë për një anëtarësim “simbolik” në Bashkimin Evropian, por për integrim të plotë, duke theksuar se vendi i tij po mbron realisht Evropën dhe vlerat e saj, ndërsa lufta vazhdon.

Deklaratat e tij u bënë në kuadër të samitit informal të BE-së në Qipro, ku në qendër të diskutimeve janë ndihma financiare për Ukrainën dhe procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Sipas Zelensky-t, Ukraina meriton të bëhet pjesë e plotë e BE-së, duke kujtuar se vendi ka përballuar sakrifica të mëdha në luftën me Rusinë dhe nuk mund të kënaqet me “rrugë simbolike” apo zgjidhje të pjesshme.

Ai ka kritikuar idenë e formave alternative të anëtarësimit, duke thënë se Ukraina tashmë ka përjetuar mjaft marrëveshje simbolike në të kaluarën, të cilat nuk kanë garantuar siguri reale për vendin.

Ndërkohë, procesi i integrimit të Ukrainës në BE mbetet i bllokuar për shkak të vetos së Hungarisë, e cila ka penguar hapjen e kapitujve të negociatave që prej vitit 2024.

Në të njëjtën kohë, Bashkimi Evropian ka diskutuar edhe një paketë të re ndihme prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën, si dhe sanksione të reja ndaj Rusisë, në kuadër të mbështetjes së vazhdueshme për Kievin.

ME TE LEXUARAT