Marrëveshja e re e Ministrisë së Infrastrukturës me Politeknikun, Rama: Në çdo universitet, hapësira për Inteligjencën Artificiale

Kryeministri Edi Rama dhe Zv.Kryeministrja, njëherësh Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ishin të pranishëm në firmosjen e marrëveshjes mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Universitetit Politeknik të Tiranës
Kjo marrëveshje është një hap për mbështetjen dhe përgatitjen e studentëve përmes praktikave të paguara të punës, me qëllim aftësimin e tyre profesional, si dhe njohjen nga afër në terren me të gjitha proceset e zhvillimit të infrastrukturës.
Në fjalën e tij, Rama u bëri thirrje studentëve dhe pedagogëve për përdorimin e Inteligjencës Artificiale në universitete.
“Në çdo universitet ne të krijojmë sa më parë hapësirat për t’iu dhënë mundësi pedagogëve dhe studentëve që të aktivizojnë talentet dhe dijet, por edhe kuriozitetin e tyre intelektual për Inteligjencën Artificiale.
Mbi të gjitha, ajo çfarë e bën eksaltuese IA-në, është se ka pak rëndësi në cilën pikë të globit ndodhesh, ose në cilin rresht të klasifikimit të vendeve ndodhet vendi ku ti jeton, pasi përmes Inteligjencës Artificiale, mund të bëhen kapërcime epokale, që mund të ishin të pamundura pavarësisht talenteve.
Në funksion të kësaj që thashë, ne do të përgatitemi që edhe në buxhetin e viteve të ardhshme, të kemi një komponent që të mbështetemi për çdo sprovë. I bëj thirrje pedagogëve dhe studentëve që të punojmë së bashku për rritjen e komponentit të Inteligjencës Artificiale në universitetet tona”, tha Rama.


