"Lojë politike", Rama tregon nëse ka filluar bisedimet me talebanët: Ja pse po vonohet evakuimi i afganëve

Prej largimit të prezencës amerikane nga Afganistani, evakuimi i qytetarëve afganë është bërë më i vështirë. Qeveria e re e talebanëve njoftoi këtë të enjte se do të nisin sërish fluturimet për personat që duan të largohen nga vendi, por ende nuk ka një panoramë të qartë dhe zyrtare për këto evakuime.
Kryeministri Edi Rama, i ka cilësuar këto vonesa si një lojë politike e brendshme e talebanëve. Në një intervistë për CNN, ai thotë se talebanët çfarë thonë sot nuk e thonë nesër.
“Mund të them se kemi bvërë për këta njerëz njësoj për të gjithë që kanë mbërritur ose presin që të vijnë. Ky aeroport është mjaft problematik. Nuk e di se ku qëndron problem nuk do habitesha që kjo të ishte një lojë e talebanëve që çfarë thonë sot dhe se thonë nesër. E kanë ndryshuar sërish fjalën dhe thonë se do lejojnë vetëm personat me pasaporta, fëmijët nuk kanë pasaporta. Historia do futet në një fazë të rej pengesash” – tha Rama.
I pyetur nëse Shqipëria ka kontakt të drejtëpërdrejtë me talebanët, Rama e ka mohuar duke u shprehur se kjo kompetencë i takon vetëm SHBA-së.
Kreu i qeverisë thotë se të vetmin kontakt që ka Shqipëria, është me qeverinë amerikane për të kordinuar evakuimin dhe strehimin e qytetarëve afganë.
“Jo ne nuk kemi hyrë në asnjë lloj bisedimi me talebanët dhe shpresoj që nuk duhet të hyjmë. Ata që do flasin duhet të kenë kompetencën, duhet të jetë SHBA. Duhet të jemi në kontakt me amerikanët për këtë nismë. Është njëfarësoj shqetësuese që qytetarët amerikanë nuk mund të dalin nga aeroporti. Kam prirje të besoj se është një lojë nga brenda Afganistanit. Për të folur sinqerisht nuk është se jam i dëshpëruar, por duke qenë i përfshirë personalisht, me ekipin tim të ngushtë, me ministren e jashtme që po punon për këto operacione, në mënyrë të natyrshme jemi të përfshirë deri në atë pikë që na vjen keq për ata njerëz. Duke dëgjuar historitë e tyre, në vjen keq. Jemi të përfshirë në gjithë këtë, sepse kjo është ajo çka jemi ne. Vite më parë kemi qenë si ata, na hapën dyert dhe tashmë si mund t’ua mbyllim dyert” – tha Rama.
Ndërkohë i pyetur për shifrat, kryeministri Rama u shpreh se Shqipëria ka rënë dakord që të presë 4 mijë afganë ndërkohë që në vendin tonë aktualisht nuk kanë mbërritur ende as 1 mijë qytetarë.
“Shifrat janë të sakta, ne kemi ofruar disponueshmërinë tonë për 4 mijë, kjo mund të ndryshojë. Për mënyrën se sip o shpalosen gjërat në thelb, pas tërheqjes së misionit amerikan, operacionet janë bërë të vështira, Njerëzit që kanë mbërritur nuk kanë kapur në 1 mijë. Pjesa tjetër po zvarriten në aeroporte. Po përballen me vështirësi për të nxjerrë njerëzit nga andej. Njerëzit nuk janë ndryshe në vlerë. Është jetë njerëzore” – tha Rama.


