Ligji për Komisionet Hetimore, Bardhi letër Kushtetueses: Përshpejtoni gjykimin

Politikë

Ligji për Komisionet Hetimore, Bardhi letër Kushtetueses:

Deputeti Gazment Bardhi i kërkon Gjykatës Kushtetuese, përshpejtimin e shqyrtimit të ankimimit për ligjin e "Komisioneve Hetimore". Në një letër drejtuar Gjykatës Kushtetuese, thuhet se ky ligj  mbart interes të veçantë publik, pasi lidhet me kontrollin e kuvendit ndaj ekzekutivit.

"Në kushtet kur ligji objekt shqyrtimi prek një prej të drejtave themelore që Kushtetuta e Shqipërisë i garanton deputetëve të pakicës parlamentare dhe një prej funksioneve themelore të Kuvendit, atë të kontrollit efektiv të qeverisjes, është e kuptueshme se kjo çështje mbart një interes të veçantë publik, dhe shqyrtimi i saj duhet të bëhet me përparsi, siç ka vepruar Gjykata edhe në precedentin e mëparshëm lidhur me kërkesën e 45 deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë për shfuqizimin e vendimit nr. 126/2023

“Për disa shtesa dhe ndryshime në vendimin nr. 166, datë 16.12.2004 “Për miratimin e Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë”, të ndryshuar”. Shqyrtimi me përparësi i kësaj çështjeje duhet të marrë në konsideratë edhe faktin se kërkesa për ngritjen e një komisioni hetimore, e cila ndodhet e depozituar tashmë në Kuvendin e Shqipërisë (shih paragrafin 39 të kërkesës), ashtu si edhe kërkesat e tjera në të ardhmen mund të kenë pasoja të drejtpërdrejta nga aplikimi i Ligjit nr. 106/2023.

Po ashtu, Gjykata duhet të konsiderojë faktin se legjislatura parlamentare aktuale është në vitin e saj të fundit dhe zgjatja në kohë e shqyrtimit të kësaj kërkesë dëmton drejtpërdrejtë hetimin parlamentar" - thuhet në shkresë.

Ndër të tjera Bardhi thekson se hetimi parlamentar është jo vetëm një e drejtë e garantuar nga neni 77, pika 2, e Kushtetutës së Shqipërisë, e deputetëve të pakicës parlamentare, por edhe një prej funksioneve themelore të Kuvendit të Shqipërisë që lidhet me ushtrimin e kontrollit efektiv të qeverisjes.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion