“Kodi i narkodiktaturës” – Berisha shpërthen kundër draftit të ri penal: Dënon qytetarët, mbron qeveritarët dhe shtyp konkurrencën e lirë

Politikë

“Kodi i narkodiktaturës” – Berisha shpërthen

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër ndaj draftit të ri të Kodit Penal, duke e quajtur atë një mjet represiv në duart e qeverisë Rama për të goditur qytetarët dhe për të mbrojtur pushtetarët.

Sipas Berishës, qëllimi i këtij kodi është të prodhojë qindra e mijëra raste penale për të futur qytetarët në burg, përfshirë gazetarët dhe individët që shprehin mendime të lira.

“E kam quajtur menjëherë si Kodi Penal i narkodiktaturës. Ai nuk synon asgjë tjetër veçse të shumëfishojë rastet për të dënuar qytetarët. Janë parashikuar dënime për gazetarët, për fjalën e lirë, për konkurrencën në treg,” tha Berisha, duke shtuar se disa nga nenet janë absurde.

Ai përmendi një shembull konkret ku një qytetar mund të përfundojë në burg vetëm pse ofron një marrëveshje më të favorshme për një biznes, duke e cilësuar si sulm të drejtpërdrejtë ndaj konkurrencës së lirë.

“Dënohej me burg ai që i ofronte një zgjidhje më të mirë një biznesmeni, thjesht sepse ky ishte në bisedime me dikë tjetër. Kjo është goditje në zemër të ekonomisë së tregut. Ky është pasion i sëmurë për burgje,” theksoi ai.

Berisha e lidh këtë draft me strukturat e vjetra të Sigurimit të Shtetit dhe akuzon drejtpërdrejt Ramën për tentativë kontrolli absolut mbi sistemin ligjor dhe liritë qytetare.

Ai përfundoi duke paralajmëruar se ky projekt nuk do të kalojë pa rezistencë të fortë politike dhe qytetare.

ME TE LEXUARAT