Jorida Tabaku në Como: Shqipëria ka nevojë për reforma reale, jo fasada për BE-në

Deputetja e Partisë Demokratike dhe Kryetare e Komisionit Parlamentar për Integrimin Europian, Jorida Tabaku, po merr pjesë në konferencën ndërkombëtare të organizuar nga Fondacioni Konrad Adenauer në Como, Itali.
Në këtë takim me përfaqësues të CDU, EPP dhe partnerë të tjerë strategjikë, në fokus është rruga e Ballkanit Perëndimor drejt Bashkimit Europian dhe sfidat për reforma të thella dhe të besueshme.
Tabaku ka qenë aktive në tryezë, duke kërkuar që procesi i integrimit të mos jetë vetëm një fasadë politike për t’u treguar BE-së, por të bazohet në reforma të vërteta, gjithëpërfshirje të opozitës dhe ndërtim institucioni të pavarura.
Në një postim në rrjetet sociale, Tabaku ka ndarë foto nga takimi me deputetin gjerman Peter Beyer, i njohur për përkrahjen e tij të vazhdueshme për integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE. Së bashku kanë publikuar një editorial në Frankfurter Rundschau ku theksojnë nevojën për zgjedhje të ndershme dhe media të lira, elementë kyç për rrugëtimin europian.
“Shqipëria ka vetëm një rrugë: reforma të thella dhe të ndershme, me gjithëpërfshirjen e opozitës dhe aktorëve të shoqërisë civile,” tha Tabaku, duke paralajmëruar se çdo reformë që shërben vetëm propagandës qeveritare është e dëmshme për qytetarët dhe aspiratën europiane.
Si Kryetare e Komisionit për Integrimin Europian dhe një figurë kryesore opozitare, Jorida Tabaku vazhdon të jetë zë i besueshëm për partnerët ndërkombëtarë, duke ndërtuar ura besimi dhe duke përfaqësuar një vizion europian që nuk pranon kompromis me demokracinë.


