"I thashë, do ta ndihmosh Shqipërinë të futet në BE"/ Rama tregon bisedën me Mira Muratin, ja si iu përgjigj ish-shefja e OpenAI!
Kryeministri shqiptar, Edi Rama, ka reflektuar mbi një bisedë që ai ka pasur me Mira Muratin, ish-shefen operacionale të OpenAI dhe tashmë sipërmarrësen në fushën e teknologjisë, më në veçanti të Inteligjencës Artificiale.
Gjatë një takimi që pati me ministren për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj, në kompaninë RITECH, Rama tregoi edhe rreth një bisede me Muratin. Gjatë bashkëbisedimit me stafin, Rama theksoi se ka ardhur koha që shteti të përfshihet drejtpërdrejt në financimin e kompanive teknologjike, jo vetëm për t’i ndihmuar, por edhe për të përfituar.
Ai tregoi se ka diskutuar këtë ide edhe me ish-drejtuesen shqiptare të OpenAI, Mira Murati.
“Ka ardhur koha që të hyjmë nëpër kompani, që shteti të financojë dhe të përfitojë. Ashtu siç fola me Mira Muratin, i thashë: a është e mundur të hyjmë edhe ne? Më tha patjetër, madje më tha se tre shtete të tjera e kanë bërë tashmë një ofertë të tillë”, tha Rama.
Ai shtoi se mbështetja për startup-et është thelbësore, veçanërisht në fazat e para të zhvillimit, kur ideatorët kanë vizionin, por mungesë burimesh për ta realizuar.
Kryeministri ndau gjithashtu detaje nga biseda me Muratin, duke i kërkuar ndihmë për dy sfida madhore të Shqipërisë: përshpejtimin e integrimit në Bashkimin Evropian dhe luftën kundër korrupsionit.
“I thashë, do ta ndihmosh Shqipërinë të futet në BE? Ajo kujtoi se po bëj humor, por e kisha seriozisht. Mund të na ndihmosh që të përshpejtojmë përkthimin dhe përafrimin e 250 mijë faqeve të legjislacionit. E dyta, i kërkova ndihmë për të luftuar korrupsionin, veçanërisht në prokurime. Edhe pse kemi ndërtuar një sistem më transparent, është ende manual dhe ka nevojë për përmirësim”, u shpreh Rama.