Grevë urie në shtator? Berisha paralajmëron rikthim të fortë: S`përjashtojmë asnjë skenar!

Sali Berisha mbajti sot një konferencë për shtyp, ku ka lënë të hapur çdo mundësi për zhvillime të forta politike në shtator, përfshirë edhe grevën e urisë, një skenar që është përfolur gjerësisht së fundmi.
Berisha deklaroi se është i gatshëm të udhëheqë me shembullin e tij personal për të rikthyer votën e lirë për qytetarët shqiptarë.
“Jam i gatshëm të udhëheq deri në fitore. Me shembullin personal t’u rikthej shqiptarëve votën e lirë. Nuk përjashtojmë asnjë variant,” u shpreh ai.
Në deklaratat e tij, Berisha përsëriti akuzat ndaj Partisë Socialiste dhe kryeministrit Edi Rama, duke i cilësuar zgjedhjet si një farsë dhe jo një proces demokratik.
“Mund të them sot atë që kam thënë shumë herë më parë: me Ramën nuk mund të ketë kurrë zgjedhje të lira.
Kjo nuk është diçka e re, e kam thënë dhe e them me bindjen më të madhe. Ka krijuar një shtet elektoral dhe zhvillon farsë elektorale. Në Durrës janë 15 mijë vota të krimit,” deklaroi Berisha.
Ai la të kuptohet se opozita do të ketë një qasje më të ashpër në muajt e ardhshëm, duke kërkuar rikthimin e demokracisë dhe të zgjedhjeve të ndershme në vend.
Pjese nga deklaratat:
Berisha: Jam i bindur se kjo betejë do të fitohet! Nuk do e nisja nëse nuk do isha i bindur te fitorja
Absolutisht i gatshëm ta udhëheq betejën gjer në fitore dhe me shembullin personal, t’u rikthej shqiptarëve votën e lirë.
Nuk përjashtohet asnjë variant.
Rëndësi të jashtëzakonshme për ne ka që shqiptarët me ndërgjegje të plotë të binden se kjo ishte një farsë dhe jo ajo siç ua paraqet propaganda kriminale e qeverisë dhe altoparlantëve të saj.
Sepse është shumë e rëndë kur sheh pseudo-intelektualë të bëjnë avokatinë e akteve mega-kriminale të karteleve të drogës në studiot televizive dhe të thonë se në xhepat e mi nuk ka paratë e tyre. Ti ndan moralin me ta kur pranon veprën e një karteli, ti nuk ke asnjë dallim moral nga ta.
Je i zhveshur, je njësh me krimin.
Pra, çfarë do ndodhë?
Edhe njëherë, me Edi Ramën nuk ka zgjedhje.
Cilido që është i gatshëm të luftojë në rrugën e zgjedhur nga PD. Thashë, jo jashtë institucioneve, është i mirëpritur dhe unë një betejë që nuk besoj se nuk do ta fitoja, nuk do e nisja.
Jam i bindur se kjo betejë do fitohet.
Berisha: Ta harrojë kush se mund të mashtrojë shqiptarët apo demokratët se farsa elektorale fitohet nga opozita
Forumet janë aktive më shumë se kurrë sot.
Po merren me analizën e gjithanshme të farsës.
Do përfundojë lufta për ndërgjegjësimin e Shqipërisë dhe botës për farsën elektorale dhe do merren të gjitha vendimet.
Kjo është një parti demokratike, e cila ka faktuar që ka të gjitha atributet e një force demokratike.
Por, ta harrojë kush se mund të mashtrojë shqiptarët apo demokratët se farsa elektorale fitohet nga opozita.
Farsa elektorale nuk fitohet nga opozita.
Dhe ata të cilët duan apo rreken të provojnë këtë, ata injorojnë efektet e arrestimit në vitin elektoral të liderëve të tre partive kryesore apo ndjekjen penale si dhe deputetëve. Pra injorojnë terrorin politik.
Ata injorojnë shtetin elektoral i cili shpërndau në këto zgjedhje 100 euro për 48 përqind të votuesve, zgjedhësve, pensionistëve.
I cili fali me vendim qeverie 200 milionë euro gjoba dy ditë para zgjedhjeve.
I cili shndërroi punonjësit e administratës në patronë të votuesve skllevër që i kontrollonin dhe që ngritën në mbarë vendin zyrat paralele të qendrave të votimit.
Injoron përdorimin e mijëra lejeve të legalizimit, licencave, certifikatave të pronësisë dhe lejeve të ndërtimit për vota.
Të gjitha në kundërshtim me ligjin.
Injoron përdorimin e 500 milionë eurove për prokurime të paligjshme publike.
Injoron organizimin e 4500 ngjarjeve, më shumë se tre vite e gjysmë të marra së bashku, për të ndikuar zgjedhësit.
Injoron, këndon këngën e Pojës, Suel Çelës dhe efektet e tyre.
Ndaj dhe unë e kuptoj që Edi Rama, mediat që e mbështesin atë janë thellësisht të interesuar të gjejnë çdo pretekst për të mbuluar farsën. Po dielli me shoshë nuk mbulohet me asgjë.
Kjo është përgjigjja ime.


