GJKKO i jep 2 muaj kohë SPAK për të plotësuar hetimet ndaj mjekut Edvin Prifti
Gjykata e Posaçme Antikorrupsion i ka dhënë dy muaj shtesë Prokurorisë së Posaçme për të përfunduar hetimet ndaj mjekut Edvin Prifti. Gjyqtarja e çështjes, Elsa Ulliri, gjatë seancës së mbajtur këtë të martë kërkoi që prokurori Sotir Kllapi të ribëjë aktin e ekspertimit financiar, ndërkohë që seanca tjetër u caktua për datën 7 prill.
Në muajin shkurt 2024, SPAK mbylli hetimet dhe paraqiti kërkesë në GJKKO për kalimin e dosjes për gjykim ndaj Edvin Priftit, ndaj të cilit janë ngritur katër akuza: “korrupsion pasiv” në 7 raste, “vjedhje e kryer duke shfrytëzuar detyrën”, “fshehje të ardhurash” dhe “pastrim parash”.
Prokurorisë së Posaçme iu deshën katër vjet hetime për të përfunduar dosjen për ish-shefin e Shërbimit të Kardiokirurgjisë pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.
Merr lajme ekskluzive në Whatsapp
Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.
Sipas organit akuzues, Prifti ka marrë para për 7 ndërhyrje në zemër pranë QSUT-së, ndërsa iu sekuestruan disa shuma parash, të cilat iu gjetën cash në zyrë dhe në banesë.