Gjashtë muaj në arrest shtëpie, lihet i lirë kryetari i Bashkisë Tropojë Rexh Byberi

Politikë

Gjashtë muaj në arrest shtëpie, lihet i lirë kryetari i

Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur lirimin nga masa e arrestit në shtëpi për kryetarin e Bashkisë Tropojë, Rexh Byberi, dhe nënkryetarin Abedin Kërrnaja. Të dy ndodhen nën hetim për akuzat e shpërdorimit të detyrës dhe prerjes së paligjshme të pyjeve.

Si masë alternative, ndaj tyre është caktuar detyrimi për t’u paraqitur një herë në muaj në organet kompetente. Vendimi mbështetet në përfundimin e periudhës gjashtëmujore të masës së sigurisë dhe në një vendim të Gjykatës Kushtetuese lidhur me çështjen e Mimoza Margjekës.

Në një seancë të mëparshme, gjykata kërkoi nga prokuroria të marrin në pyetje ekspertët që kanë bërë vlerësimin e dëmeve të shkaktuara gjatë ndërtimit të një rruge nga Bashkia Tropojë. Sipas hetimeve, rruga me gjatësi 3.2 kilometra, e cila në pjesën më të madhe kalon mbi një rrugë ekzistuese këmbësore, duhej të kishte marrë lejen e ndërtimit përmes sistemit elektronik “e-leje”. Bashkia, si autoritet shqyrtues dhe miratues i dokumentacionit ligjor dhe teknik, nuk ka respektuar këtë procedurë.

Prokuroria thekson se Bashkia Tropojë ishte e detyruar të bashkëpunonte me institucionet përgjegjëse, përfshirë Agjencinë Kombëtare të Mjedisit për hartimin e raportit të ndikimit mjedisor dhe Ministrinë përgjegjëse për vlerësimin e ndikimeve dhe pasojave të ndërtimit të rrugës.

Aktualisht, Rexh Byberi dhe Abedin Kërrnaja vazhdojnë të jenë në arrest shtëpie dhe përballen me akuzat për shpërdorim detyre dhe prerje të paligjshme të pyjeve, ndërsa hetimet vijojnë.

ME TE LEXUARAT