Erion Veliaj i përgjigjet Këshillit Bashkiak: S`kam marrë njoftim zyrtar për procesin e shkarkimit! S’ma dha mundësia për t’u mbrojtur

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i është përgjigjur me një shkresë zyrtare Këshillit Bashkiak lidhur me procedurën e iniciuar për shkarkimin e tij, që do të zhvillohet ditën e nesërme.
Në dokumentin e firmosur prej tij, Veliaj thekson se nuk është informuar zyrtarisht nga sekretari i Këshillit për zhvillimin e mbledhjes së parashikuar, duke u njohur vetëm nga burime mediatike.
Veliaj thekson gjithashtu se nuk është vënë në dijeni për materialet mbi të cilat është mbështetur procedura për shkarkimin e tij, çka sipas tij e ka bërë të pamundur ushtrimin e së drejtës kushtetuese për t’u mbrojtur.
“Ende sot, një ditë përpara vendimmarrjes së Këshillit Bashkiak, nuk jam informuar zyrtarisht nga ky këshill lidhur me mbajtjen e një mbledhjeje në të cilën do të vendoset lidhur me shkarkimin tim si Kryetar Bashkie, shkaqet e shkarkimit, materialet që më ngarkojnë me përgjegjësi, sqarimet përkatëse nga ana juaj, kërkimin e sqarimeve dhe provave nga ana ime lidhur me shkeljen e pretenduar dhe materialet mbi të cilat ajo mbështetet, dhe si rrjedhojë nuk më është krijuar mundësia për t’u mbrojtur, dhënë shpjegime e dëgjuar para këtij organi kolegjial, as fizikisht e as me shkrim, për më tepër kur, duke qenë se ndodhem në kushtet e paraburgimit, bazuar në një masë sigurimi personale, mundësitë i kam të kufizuara”, shkruan nder te tjera Veliaj.
Veliaj thekson me tej se “Sekretari i Këshillit Bashkiak nuk mund të marrë përsipër rolin e një organi kolegjial. Çdo komunikim i Sekretarit të Këshillit që shkon përtej funksioneve tekniko-administrative përbën tejkalim të kompetencës dhe cenim të parimit të ndarjes së funksioneve. Sekretari është një funksionar administrativ, jo organ politik dhe as vendimmarrës në këtë procedurë”.
Kryebashkiaku shprehet se mbetet në pritje të vendimmarrjes me votim nga ana e Këshillit Bashkiak, duke theksuar se “garantimi i të drejtave kushtetuese të Kryetarit të Bashkisë është thelbësor në çdo proces të iniciuar për shkarkimin e tij”.


